E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët e Shqipërisë në anën e Vetëvendosjes

Deputetë të PS-së kanë shprehur indinjatën e tyre për dhunën e përdorur nga policia e Kosovës ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, ndërkohë që televizionet pranë qeverisë e quajnë dhunën demokratike.

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, duke mbështetur këtë lëvizje shkruan në faqen e tij sociale në Facebook se “VV do ta ndihmojë edhe Kosovën edhe Serbinë me lëvizë më shpejt drejt integrimit në NATO dhe BE! Barazia sovrane është thelbi mbi të cilën bashkëjetojnë fqinjët kudo në botën demokratike! Për sa kohe VV udhëheq protesta paqësore e bëhet promotore e një politike të begatë e parimore për qytetaret, mbështetur mbi një vendimmarrje të kahershme të Kuvendit te Kosovës, ndjej neveri ndaj baltosjes qe tentohet t’i bëhet VV nga ata soj politikanesh që të përbashkët mes tyre kane veç pasurimin galopant e shpërdorimin e besimit të qytetarëve e jo atdhedashurinë”.

Ndërsa deputeti i Beratit, Erjon Braçe, i cili e ka shprehur hapur simpatinë e tij ndaj opozitës në Kosovës, prej ditësh po komenton këtë protestë të Vetëvendosjes dhe ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj saj. Sipas tij, arrestimi i deputetëve të opozitës është shfaqja më e keqe që po jep qeveria e Kosovës. “Lëvizja Vetëvendosje lajmëron se: pas ndërhyrjeve të dhunshme policia ka ndaluar thuajse gjithë lidershipin e Vetëvendosje-s, nënkryetarin, deputetë e udhëheqës të tjerë të saj dhe të protestës legjitime. Në të njëjtën kohë, në Siri dhe Kosove ndodh kjo!”, shkruan Braçe. Ai bën përgjegjës kryeministrin kosovar për këtë dhunë. “Hashim Thaçi, nuk goditet e nuk dhunohet kryetari i opozitës. Ti je i vetmi ndër shqiptarë që po e bën këtë, në 20 vjet këtej dhe andej kufirit je vetëm ti”, thotë Braçe për kryeministrin kosovar. Ndërkohë, ai e cilëson dhunën e ushtruar nga policia si barbare dhe komenton qëndrimet e televizioneve të Berishës në Tiranë. “Turp i madh, televizioni i Sandrit të Sali Berishës, Abc News: policia po ndërhyn në mënyrë kushtetuese, ligjore, në mënyrë demokratike kundër protestuesve. Kulmi! Po si mund të jetë demokratike ndërhyrja e policisë?!” shkruan më tej Braçe duke komentuar atë që po ndodhte në Kosovë.

Këtyre qëndrimeve u është bashkangjitur dhe deputeti Taulant Balla i cili gjithashtu mban qëndrim kundër dhunës. “Për ngjarjet e sotme në Kosovë: Dhuna dhe gazi lotsjellës i shqiptarëve kundër shqiptarëve duhet shmangur”, thotë ai./Gazeta Tema/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›