E Shtunë, 31 Tetor 2026

LPK shënoi 28-vjetorin e themelimit

Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), në kremtimin e 28-vjetorit të themelimit, vlerësuan se kjo lëvizje ka bërë kthesa historike, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë territoret shqiptare.

Koordinatori i Kryesisë së LPK-së për Kosovë, Hasan Meta, ka thënë se LPK për këto tri dekada të funksionimit ka luajtur rol krucial në shtyrjen përpara të proceseve historike të cilat kanë kulmuar me themelimin e UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe organizimin e luftës së armatosur e cila rezultoi me çlirimin e vendit.

Meta ka thënë se mbetet edhe shumë punë për të bërë drejt realizimit të synimeve programore të LPK-së, që janë bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.

Lidhur me kahet e veprimtarisë së LPK-së në të ardhmen kanë folur edhe anëtarët e kryesisë Durmish Gashi, Demir Reshiti, Asllan Pantina, Muharrem Dina, Metush Zenuni e të tjerë.

Të pranishmit në këtë tubim kanë shprehur revoltë ndaj përpjekjeve të EULEX-it për dënimin e liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtit, duke theksuar se para gjyqit duhet të nxirren ata që vranë dy protestues e plagosen rreth 100 të tjerë, e jo Albin Kurti.

LPK në mbledhjen e mbajtur në Prizren në qershor të vitit 1999 kishte vendosur që të shndërrohet në parti politike me mbi 90% të anëtarëve dhe me 1 dhe 2 korrik 1999 nga LPK emërohet PPDK, PDK-ja e sotme. Disa anëtarë të pakënaqur vendosën ta mbajnë emrin dhe të tentojnë të mbajnë edhe historinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›