E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT nis hartimin e protokolleve mjekësore

Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ngriti dje katër grupet kryesore për hartimin e protokolleve të mjekimit dhe udhërrëfyesve. Në praninë e drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, dhe drejtorit të Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, mjekët dhe shefat e shërbimeve janë njohur më punën dhe rrugën që duhet të ndjekin. Duke e quajtur si sfidën e vitit hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve, drejtori i QSUT-së ka pohuar se kjo është një detyrë që duhet bërë. Sot (dje) ju do të merrini të gjitha udhëzimet e duhura për të nisur punën. Ky është një aksion i madh, detyrë e lënë nga qeveria dhe që duhet të përfundohet brenda këtij viti. Ne jemi aktorët kryesorë të bërjes së protokolleve dhe udhërrëfyesve, ndaj do të kërkoja që sa më shpejt të zgjidhni kryetarin e grupit dhe të nisni punën, e cila do të mbikëqyret nga shefat e pavijoneve, - ka pohuar Ilir Dashi. Do të jenë pikërisht katër grupe të mëdha, të ndara përkatësisht: Pediatria dhe Neuroshkenca, Kirurgjia, Sëmundjet e Brendshme dhe Onkologjia, të cilat kanë marrë edhe udhëzimet që duhet të ndjekin. Për hartimin e protokolleve nuk duhet të jetë vetëm eksperienca juaj, por të ketë edhe evidencë. Duhet të zgjidhni disa modele të protokolleve dhe ato duhet të përpunohen dhe të përshtaten sipas sistemit tonë, në mënyrë që të jetë praktik për tu zbatuar, - ka pohuar drejtori i QKCSA-së, Isuf Kalo. Hartimi i protokolleve, udhërrëfyesve, që më pas do të sjellë edhe kostot, do të bëjë të mundur që çdo shërbim shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të ketë koston e tij. Udhërrëfyesit klinikë janë botime mjekësore relativisht të shkurtuara, të cilat krijohen për tu ardhur në ndihmë profesionistëve të mjekësisë dhe pacientëve për marrjen e vendimit më të mirë në trajtimin e tyre. Hartimi i udhërrëfyesve është i nevojshëm, pasi mundëson dhe siguron trajtimin e pacientit në përputhje me literaturën bashkëkohore të bazuar në evidencë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›