E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Do respektojmë paktin me PD, e kemi në ADN-në tonë respektimin e marrëveshjeve

12-05-2012 / Gazeta 55

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama i ka dhënë fund lojës “me porta të vogla” që po luan një opozitë e pashpresë. Ai konfirmon respektimin e koalicionit qeveritar deri në 2013, ndërkohë që inkurajon zgjedhjen e një presidenti me një konsensus sa më të gjerë që të jetë e mundur

Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e përfundimit në kohë të punës për reformën e re zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se reforma duhet të respektojë standardet evropiane, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor si në çdo vend demokratik. Rama kërkoi që komisioni për reformën zgjedhore të reflektojë mbi propozimet e 26 partive të vogla. “Duke qenë se jemi në prag të mbarimit të mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku kanë mbetur edhe katër ditë punë të këtij komisioni për të kurorëzuar draftin e ndryshimeve apo të përmirësimeve në paketën e reformës zgjedhore, jam këtu në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të theksoj edhe një herë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e veçantë që merrte kurorëzimi me sukses i reformës zgjedhore si kushti i parë që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u hapur më tej kushteve të tjera rrugën që bëjnë të mundur marrjen e statusit të Vendit Kandidat për në Bashkimin Europian. Nga kjo pikëpamje në emër të LSI-së edhe një herë insistoj që komisioni i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i mandatuar për të realizuar projektin e reformës zgjedhore duhet të reflektojë propozimet e bëra nga dokumenti i shkruar nga 26 parti politike si shenjë e vullnetit të mirë për të bërë të mundur realizimin e një reforme zgjedhore që të krijojë kushte, pikësëpari që çdo votë e çdo qytetari shqiptar të jetë votë e barabartë në vlerën e saj për gjithsekënd që mandatohet si përfaqësues politik në Kuvendin e Shqipërisë. Natyrisht kjo nuk është një çështje dëshire dhe nuk është një çështje thjesht e vetëm partiake, është edhe një çështje e rëndësishme, një çështje prioritare ndaj së cilës duhet reflektuar me përgjegjshmëri dhe me maturi që edhe reforma zgjedhore të vijë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”- u shpreh ai. Luan Rama theksoi më tej se LSI është e gatshme të kontribuojë pozitivisht për të bërë të mundur që reforma zgjedhore të jetë e standardeve evropiane, që edhe zgjedhjet në Shqipëri më në fund të jenë zgjedhje si në çdo vend normal demokratik europian. “Fakti që më datë 15 mbaron mandati i punës së këtij komisioni, e bën edhe më imperative domosdoshmërinë e përshpejtimit të ritmeve që reforma zgjedhore të realizohet përpara kohës apo përpara afatit kushtetues kur duhet të zgjidhet edhe Presidenti i ri i Republikës. Reforma Zgjedhore, reforma parlamentare bashkë me të, edhe heqja e imunitetit të politikanëve mbeten detyra që duhen përmbushur në mënyrë imediate dhe me shumë seriozitet. Qasja ndaj këtyre prioriteteve është në thelb edhe testi i përgjegjshmërisë dhe sjelljes evropiane të politikës shqiptare ndaj prioriteteve që lidhen me tërësinë e proceseve të integrimit evropian të vendit”- tha ai.
Ndërkohë, duke u ndalur në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, zyrtari i LSI-së vuri në dukje se, pavarësisht nga se cili kamp apo grupim vjen kandidati, rëndësi ka që Presidenti i ri të jetë garant i Kushtetutës, dhe të vijë përmes një fryme konsensuale.
“Vazhdojmë të mbetemi në qëndrimin e njohur të Lëvizjes Socialiste për Integrim që procesi i negociatave politike të mund të shkojë tek konsensusi më i mirë i mundshëm që edhe përgjegjësia e radhës që ka klasa politike përpara për të bërë të mundur zgjedhjen e kryetarit të shtetit në përputhje me frymën dhe përmbajtjen evropiane që ka Kushtetuta e Shqipërisë është një sprovë e madhe ndaj së cilës ne duhet të sillemi me shumë përgjegjshmëri. Prandaj për sa kohë jemi në stadin e negociatave gjykoj dhe besoj se ka vend dhe mundësi që klasa politike të mund të mbërrijë tek konsensusi i nevojshëm që pavarësisht se prej nga vjen kandidati, se mund të jetë një kandidat që vjen si propozim i Partisë Demokratike, mund të jetë një kandidat që vjen si propozim i opozitës, siç mund të jetë edhe një kandidat që vjen si propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim apo edhe një grupi deputetësh siç e parashikon Kushtetuta”- theksoi Rama. Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama deklaroi gjithashtu se LSI do i qëndrojë deri në fund marrëveshjes me Partinë Demokratike. Sipas tij, respektimi i paktit qeverisës, është në ADN-në e kësaj force politike. “Më lejoni të ri-sjell në vëmendjen tuaj dhe të opinionit publik deklaratën që ka bërë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim para disa ditësh që “unë do të vazhdojë të respektoj dhe do të jemi korrekt në përmbushjen e paktit bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike pasi është në AND-në dhe filozofinë politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim respektimi me korrektesë i marrëveshjeve dhe përmbushja me korrektesë të gjitha detyrimet që ne kemi ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj interesave evropiane të vendit”- tha më tej, Luan Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›