E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama s’heq dorë nga pushteti që s’vjen nga vota

12-05-2012 / Gazeta 55

Si përfaqësues i plotë i nomenklaturës enveriste, Edi Rama s’pushon së provuari metoda për të ardhur në pushtet, jo nëpërmjet votës, por nëpërmjet puçeve antikushtetuese apo revoltave me dhunë. Pas 21 janarit dhe mospranimit të rezultatit të 8 majit, Edvinit tashmë i është mbushur mendja se mund të fitojë me shitblerje votash. Pas 20 vitesh pluralizëm, në shtëpinë e opozitës janë tronditur nga një kryetar jo aq i vjetër, që s’di ende se ç’është vota e lirë

Si rast unikal i cili për shtatë vjet në krye të PS-së ka humbur të gjitha ballafaqimet elektorale, Edi Rama nuk sheh ndonjë shpresë se mund të ketë “ndonjë herë të parë” për PS-në, për sa kohë ajo do të drejtohet prej tij.
Kur ngelet edhe rreth një vit nga ballafaqimi elektoral i radhës, mungesën e shpresës Edi Rama e ka betonuar në bindje se as në vitin 2013 nuk mund të fitojë zgjedhjet, e thënë ndryshe..., “do të hajë ngjalën tjetër të freskët”.
Për të arritur deri te kjo bindje Edi Rama ka përjetuar prej vitesh me radhë disfata në “aksionet politike” (sipas konceptit të tij për “aksion politik”), sepse në qendër të tyre (“aksioneve politike”), në qoftë se ka munguar garancia “për fitore në tavolinë”, nuk kanë munguar sjelljet radikale të tij, nëpërmjet të cilave tërhiqte zvarrë opozitën.
Për të mos harruar, por edhe për tu kujtuar janë zgjedhjet vendore të vitit 2007 të cilat nuk u zhvilluan në datën e caktuar, sepse Edi Rama nuk pranoi të hynte në garë thjesht dhe vetëm se desh garanci personale që nuk do ta shkulnin nga bashkia e Tiranës. Kur ju lanë në dorë ti përgatiste vetë listat e zgjedhësve të Tiranës, ju mbush mendja dhe hyri në garë.
Ky precedent “e mori më qafë”, sepse duke besuar se taktika e presionit për “fitore në tavolinë” do ti mundësonin atij të tjera “fitore”, abuzoi aq shumë me tryezat, aq sa të tjera gjëra pranonte para, bie fjala, Presidentit, apo te restorant “Crocodile” dhe të tjera gjëra kërkonte pas këtyre tryezave, pas së cilave ndjehej me “oreks më të madh”.
Por pjesë të politik-bërjes së tij, si një gjetje ekstreme dhe jo aq e ngjashme me tryezën, Edi Rama ka bërë edhe radikalizmin, deri te puçi i dështuar i shtetit në 21 janarin e vitit 2011.
Politik-bërja radikale e Edi Ramës, ishte e mbarsur me pretekste, por dështake në shkaqe dhe arsye.
Pretekst ishte, vdekja aksidentale dhe e rëndomtë e Kosta Trebickës.
Pretekst ishte çmimi i kartës së identitetit.
Pretekst ishte mos-hapja e kutive.
Pretekst ishte edhe hapja e kutive.
Dhe përpos këtyre preteksteve e shumë e shumë të tjera që Edi Rama i përdoret për të nxjerrë njerëz në rrugë, në lëvizje radikale, në data përkujtimore, ose jo, të ditë-lindjeve e ditë-vdekjeve të Leninit e Stalini, kishin si qëllim, jo vetëm bllokimin e integrimit të Shqipërisë në NATO, bllokimin e liberalizmit të vizave, apo edhe bllokimin e integrimit në BE, por edhe dëshirën e tij për “fitore në tavolinë” të zgjedhjeve të vitit 2009, apo edhe zgjedhjeve të vitit 2011.
Kur këtyre lëvizjeve radikale ju erdhi fundi, atëherë inskenoi puçin e dështuar të shtetit në 21 janar.
Me “ngjalën e freskët të ngrënë” në fillim të muajit në Gjirin e Lalzit, Edi Rama ka konfirmuar bindjen se as lëvizjet radikale e as puçi i shtetit nuk mund ti mundësojnë asnjë lloj “fitore në tavolinë”.
Po çfarë duhet të bëjë ai përballë një situate të tillë, jo-premtuese, për zgjedhjet e vitit 2013...?!
Sigurisht më të thjeshtën. Të besojë se pushteti politik vjen prej pushtetit të votës.
Por pikërisht leximi i këtij “pushteti të votës” edhe për zgjedhjet e vitit 2013, kanë detyruar Edi Ramën, që të rikthehet te tryezat si “institucione” që do ti garantojnë “fitore në tavolinë”..., rikthim pas së cilit, në gjykimin e veprimeve të Edi Ramës, e ka radhën rikthimi i lëvizjeve radikale, apo edhe të ndonjë tjetër puç i mundshëm shteti...
... Ai nuk di të bëjë asgjë tjetër ndryshe, për sa kohë “pushteti i votës”, i ka rezervuar “pushtet në opozitë”..., pse jo edhe “ngrënie ngjalash të freskëta”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›