E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e tregut të punës

06-04-2012 / Nga Ilirian Dahri

Shifrat flasin qartë. Krahasuar me vende të tjera Europiane si Gjermania apo Franca, vendi fqinj i Italisë ka rezultate më të ulëta ekonomike. Në fakt Gjermania aktualisht ka një rënie të Gdp me 0,2%, kundrejt 0,6%, që e ishte tre muaj më parë ndërsa Franca ka një ulje me 0,2% kundrejt 0,3% të trimestrit të tertë. Ndërsa  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rritje me 0,7% përkundrejt +0,5% të fillimvitit. Dihet tashmë se për krizën italiane qeveria e Mario Montit ka marrë masat e duhura të njohura këto edhe nga Bashkimi Europian. Qeveria italiane po përpiqet që nëpërmjet manovrave të ndryshme ekonomike të rinisë me rritjen ekonomike. Një prej tyre është padyshim edhe reforma e tregut të punës për të cilën duket se është arritur marrëveshja. Të martën në pallatin Xhustiniani tre liderët e partive më të mëdha në Itali Alfano, Kazini dhe Bersani kanë aprovuar projektligjin për reformën e tregut të punës i cili është gati për t’u aprovuar në Parlamentin e vendit fqinj. “Ky tekst është hartuar në bashkëpunim me tre liderët. Pres një vazhdim të qetë dhe të shpejtë” – ka nënvizuar presidenti i Këshillit të Ministrave, Mario Monti. Reforma ka marrë edhe autorizimin nga kreu i shtetit Italian dhe tashmë është në dispozicion të  të gjithëve. Natyrisht polemikat kanë qenë të shumta por tashmë ky tekst ka edhe dy risi: fleksibilitetin dhe rregulla të reja për ndërprerjen e marrëdhënineve të punës. Ministria e Punës Elsa Formero ka dhënë pëlqimin e saj edhe pse ka dashur të ndalet në abuzimet me kontratat e punës. Partitë e shumicës ndërkaq kanë dhënë pëlqimin e tyre për rastet kur ndërprerja e marrëdhënieve të punës do të ishte e pamotivuar. Sipas Formeros investitorët tashmë nuk do të kenë më alibi për investimet në Itali. Nga ana tjetër edhe presidenti i Këshillit të Ministrave, Mario Monti ka theksuar se: “Sa më tepër që e mendoj aq më shumë bindem, vlera e shtuar e kësaj norme është reduktimi i paqartësisë për firmat”. Një tjetër risi e kësaj reforme është se në rastet që gjykata kërkon të marrë masa disiplinore këto mund të merren tashmë në 12 apo 24 muaj ndërsa më parë mund të shkonin nga 15 deri në 27 muaj. Natyrisht që është një reforme historike për vendin fqinj e cila padyshim do të shërbejë si një kthesë për tregun e punës të Italisë dhe efektet e kësaj reforme do të jenë më të dukshëm në vitet në vijim. Kjo kthesë ishte e nevojshme edhe për faktin se Italia është një prej vendeve për të cilat kërkohet sidomos rritja ekonomike e cila mund të vijë vetëm nëpërmjet hapjeve të vendeve të punës sidomos për të rinjtë. Natyrisht parashikohet një treg pune akoma dhe më dinamik që do të thotë se do të ketë edhe humbje të vendeve të punës. Fornero ka nënvizuar se: “Ne duam, që me këtë reformë të forcojmë punonjësin duke tejkaluar idenë e një raporti prej pronari me vendin e tij të punës kur firma nuk ka më arsye ekonomike për të egzistuar”. Ministrja e Punës, Elsa Fornero shpreson “Që reformat të aprovohet sa më shpejt madje edhe të përmirësohet nga Parlamenti i cili është Sovran”. Një zë ndryshe, mund të cilësohet  padyshim profesori i Ekonomisë, Alberto Kuadrio Kurcio. Në një intervistë të tij në shtypin Italian Alberto Kurcio është shprehur se edhe pse shtypi italian është optimist për daljen e shpejtë nga kriza, Italia ka ende shumë  probleme. Sipas tij: “Qeveria Monti mund të qëndrojë deri në fund të legjislaturës dhe kjo mund të jetë pozitive gjithsesi nëse nuk do të arrinte rezultate pozitive mund të përkeqësonte gjendjen. Mjerisht rezultatet pozitive në ekonomi nuk janë të thjeshta”. Sipas profesorit të ekonomisë Kurcio dalja nga kriza mund të bëhet nëpërmjet një ndërhyrje në sektorin e infrastrukturës por gjithsesi edhe kjo është shumë e vështirë duke parë një borxh kaq të lartë. Një rrugë tjetër është ndërhyrja ne nivel europian por edhe kjo nuk është aq e lehtë duke patur parasysh pozicionin e Gjermanisë. Gjithsesi, e vetme, Italia  nuk do të arrinte të dilte tërësisht nga kriza sepse qoftë liberalizimi qoftë reforma e tregut të punës nuk sjellin efekte të shpejta. Vetëm punësimi do të sillte ndryshimet e mëdha sepse pa ndihmën e Europës çdo rrugë  tjetër do të ishte shumë e vështirë. Sidoqoftë profesor Kurcio ka shtuar se: “Unë prej kohësh kam mbrojtur sistemin prodhues Italian. Në këtë situatë firmat italiane që eksportojnë do të vazhdojën të jenë të forta, por flasim për 4 mijë firma që faturojnë mbi 300 milionë euro. Janë shumë, por jo të mjaftueshme për t’i ndërruar fytyrën  e ekonomisë italiane. Të vetme nuk arrijnë që të mbajnë një Vend me 60 milionë banorë. Ja pse e shikoj me shqetësim vjeshtën e ardhshme” .

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›