LSI: Ekonomia e shqiptarëve po përkeqësohet
TIRANË- Nënkryetarja e LSI-së, Folloreta Kodra, ka deklaruar dje se gjendja ekonomike e shqiptarëve në vend, sa vjen e përkeqësohet. “Ndërsa Maqedonia fqinje, duke vlerësuar situatën, ka hartuar një paketë antikrizë duke vënë në dispozicion 320 milionë dollarë, qeveria shqiptare vazhdon të përsërisë se Shqipëria nuk ka asnjë rrezik, si dhe t'i ngopë shqiptarët me lugë të zbrazët dhe me rritje ekonomike imagjinare. Gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve shqiptarë duket qartë në rritjen e pandalshme të çmimeve. Ndërsa çmimi i karburanteve në botë është ulur tre herë, në Shqipëri është ulur vetëm 20%, duke abuzuar hapur me konsumatorët”,- tha ajo. Sipas saj, gjendja e rënduar ekonomike duket qartë edhe në rritjen e pakontrolluar të çmimeve të produkteve më të domosdoshme të përditshme e më jetësorë për qytetarët, që ndikon direkt në uljen e nivelit të jetesës së tyre, e sidomos të shtresave më të varfërve, që janë plotësisht të pambrojtura nga kjo rritje e çmimeve. “Qeveria që erdhi në pushtet me premtimin e duarve të pastra, insiston në subvencionimin e KESH-it, me gjithë paralajmërimet e FMN-së për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre praktikave. Me këtë politikë, kjo qeveri që nuk do të luftojë korrupsionin, u merr dyfish çmimin e energjisë shqiptarëve të ndershëm që respektojnë ligjin dhe paguajnë taksa; njëherë me faturat e KESH-it dhe herën e dytë me shpërdorimin e fondeve publike për të subvencionuar një ndërmarrje të falimentuar”, - tha ajo.