E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyhraja, partizania e parë qytetare në çetën e Pezës

DOSSIER/ Në kohën kur vendi feston Ditën e Çlirimit, sjellim një përkujtim edhe për Zyhra Ferrën, të parën partizane që iu përgjigj thirrjes për gratë e vazjat e qytetit të cilat donin t’iu bashkoheshin burrave në luftën kundër pushtuesve.

Në çdo përvjetor çlirimi është e natyrshme që të sjellim ndërmend edhe njerëzit e rrallë që mbeten në kujtesën historike të qytetit me jetën dhe, së fundi, me vdekjen e tyre. Para disa kohësh, duke qëmtuar në memorialet e ndryshme mbi luftën kundër fashizmit që ka zhvilluar populli i Durrësit, ndesha edhe emrin e Zyhra Ferrës. Ajo ishte e para femër partizane që doli nga qyteti ynë në luftën për çlirim kombëtar duke u radhitur në çetën historike të Pezës. Në kujtimet e veta, komandanti legjendar i kësaj çete, Myslym Peza, shkruante se Zyhra Ferra ishte vajza e parë që erdhi nga qyteti në luftë dhe që luftoi deri në fund për çlirimin e vendit. Bashkëluftëtarët kanë sjellë në kujtesë nëpërmjet shkrimeve që kanë lënë pas, të vërteta të thjeshta, por që e lartësojnë këtë figurë të rrallë për kontributin e pakursyer që dha, duke ruajtur në shumë skeda qoftë të policisë së pushtimit, ashtu edhe të kujtesës historike vendin e parë, në këtë rast si luftëtare e vendeve të para. Ajo qe e para femër që iu besua në demostratën e 28 nëntorit 1941 mbajtja e flamurit të demonstratës. Në demonstratën e 12 prillit 1942, sjell në vëmendje ish-kuadri i lartë i formacioneve partizane në Pezë, Sali Verdha, spikatën vendosmëria dhe guximi i saj. Në kohën që ajo mbante në duar shtizën e flamurit kombëtar të demonstratës, xhandarët iu turrën që t’ia rrëmbenin nga dora, por ajo i qëlloi ata me shtizën e flamurit dhe nuk ua dorëzoi këtë simbol të rëndësishëm të rezistencës antifashiste. Një skenë kjo që u përsërit më vonë në fillim të viteve ‘80 në demonstratat masive të popullit të Kosovës me parullën e njohur të atyre viteve “Kosova-Republikë”. Veterani Spiro Bakalli në kujtimet e veta shkroi se në periudhën kur u ndje e domosdoshme armatosja e grupeve të luftëtareve, Zyhraja ishte e para (ai e ka theksuar fjalën “e para”) që solli një kobure të cilën e përdorën më pas luftëtarët e çetës partizane në aksionet e tyre gjatë betejave të ndryshme që zhvilluan. Sipas materialeve të dokumentacionit historik të asaj periudhe, Zyhra Ferra ka marrë pjesë me armë në dorë në betejat e mëdha të njohura të historikut të Pezës. Ajo ka luftuar dhe është dalluar në aksionet e armatosura si në Pezën e Vogël, Bërzhitë, Arbanë, Golemas e gjetkë…

Partizania pëson shok nervor

Por megjithë vendosmërinë që tregoi gjatë luftës, për të renë ishte një goditje shumë e rëndë masakrimi e më pas pushkatimi i të atit. Zyhra Ferra, e tronditur rëndë, kaloi një shok nervor dhe kur pas disa viteve u dërgua për kurim në Jugosllavi, ajo nuk u lejua të riatdhesohej. Për këtë, e ëma Hafize Ferra iu drejtua Ministrisë së Punëve të Jashtme (Seksionit Konsullor). Letra mban datën 13 shtator 1958. Në të ajo i kërkon shtetit që të interesohet për fatin e Zyhrasë, ta gjejë duke u interesuar në rrugë diplomatike për ta sjellë në atdheun e saj, për t’iu gëzuar edhe ajo këtij atdheu për të cilin nuk kishte kursyer asgjë. Mes të tjerash, e ëma i kujton shtetit faktin se “Zyhra Ferra është partizane e vjetër e luftës Nacionalçlirimtare”. Ajo vazhdon se e bija “nga tronditjet e luftës pati një krizë nervore gjatë viteve 1944 dhe rreth viteve 1947 u dërgua për kurim në Beograd”. Pas kësaj faze është shkëputur edhe lidhja mes tyre. E ëma në letrën e saj lutet që shteti të interesohet për gjetjen e saj, sepse një vit pasi ishte nisur për kurim, ajo ishte parë edhe një herë, në gjendje të përmirësuar. “Por qysh prej kohës që u prishën marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, - nënvizon e ëma me dhimbje, - unë nuk kam asnjë lajm prej saj, megjithëse vazhdimisht kam kërkuar informata mbi gjendjen e saj shëndetësore, dhe as nuk e di nëse rron apo ka vdekur”.

Zyhraja, pjesë e polemikës shqiptaro-jugosllave

Shteti shqiptar në këtë kohë ka bërë përpjekje për gjetjen dhe risjelljen e saj në atdhe. Për këtë dëshmon edhe fakti i vendosjes se këtij problemi në qendër të polemikës mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe, e cila ndiqte një politikë thellësisht armiqësore kundër vendit tonë. Gazeta “Zëri i Popullit” në artikullin redaksional me titull “Vrasja dhe persekutimi i shtetasve shqiptarë nuk mbulohen dot me shpifje dhe gënjeshtra” të datës 4 shtator 1958, duke polemizuar me qeverinë dhe shtypin zyrtar jugosllav, kërkon llogari se përse “Borba” dhe “Politika” nuk shkruajnë se si autoritetet jugollave po mbajnë me forcë për vite me radhë të sëmurë shqiptarë, si: Perlat Frashëri dhe Zyhra Ferra dhe nuk iu përgjigjen kërkesave të përsëritura të legatës shqiptare për riatdhesimin e tyre. Gazeta ka nënvizuar se “të gjitha këto autoritetet jugosllave i bëjnë kundër shtetasve shqiptarë që janë pajisur me dokumenta të rregullta shqiptare. Le pastaj se ç’bëjnë kundrejt vëllezërve tanë të Kosovës!”

Rëndimi shëndetësor

Përse u sëmur Zyhraja? Miqtë e saj dhe shoqet e shumtakanë sjellë shumë episode të gjendjes së rëndë në të cilën u ndodh ajo kur pushtuesit i pushkatuan të atin nën tortura. Veterani Sali Verdha ka sjellë në kujtime me një kujtesë të rrallë dokumentare ato ditë të rënda të operacionit gjerman të dimrit të vitit 1944. Ai shkruan ndër të tjera se disa shoqe militante që punonin nëpër lagjet e fshatit Kërçukje të Ndroqit u bllokuan papritur e pakujtuar nga forca të mëdha gjermane dhe tradhtare. Jeta e tyre u vu në rrezik, por populli i fshatit e veçanërisht gratë i futën në gjirin e tyre…Gjermanët dhe tradhtarët të tërbuar kontrolluan shtëpi më shtëpi dhe pasi nuk ia arritën qëllimit për të arrestuar aktivistët, e derdhën zemërimin mbi popullin e pafajshëm. Arrestuan të gjithë burrat e fshatitdhe i torturuan. Në mes te tyre spiunët zbuluan edhe Isuf Ferrën i cili kishte shkuar në Kërçukje për të takuar të bijën dhe e pasi e masakruan barbarisht e pushkatuan. Ajo që ndodhi ishte e rëndë, veçanërisht për Zyhranë që pa me sytë e saj torturat dhe ekzekutimin e të atit. Ajo u trondit dhe pas kësaj ngjarjeje, vajza trime nga Durrësi, thotë në memorialet e tij veterani Verdha, pësoi një krizë që erdhi duke u rënduar. Duke pasur nevojë për një mjekim shumë të specializuar atë e dërguan jashtë shtetit pas çlirimit, por, thekson veterani, ata që hiqeshin si miq i ndërprenë kurat dhe e lanë në kushte shumë të vështira, madje penguan edhe kthimin pranë familjes. Më në fund pas shumë vite kërkimesh Zyhra Ferra u kthye në atdhe, por shëndeti i saj kishte marrë shumë për tëposhtë dhe sëmundja ishte bërë e pashërueshme. Zyhra Ferra lindi më 5 janar 1923 dhe vdiq 22 maj 1993. Ajo mbante tre medalje të larta për kohën të firmosura nga Omer Nishani.

Torturat që iu bënë Jusuf Ferrës

Një tjetër dëshmitar i skenës së pushkatimit sipas versionit të veteranëve të luftës tregon se si u pushkatua Jusuf Ferra . “…I kërkuan të tregonte se pse kishte ardhur në Kërçukje. Ai u justifikua se kishte ardhur për të blerë ullinj e vaj për nevojat e familjes. E torturuan në mënyre çnjerëzore. Spiunët e bashkëpunëtorët e gjermanëve zbuluan dhe nxorën materiale që ai kishte sjellë me vete për luftëtaret e Pezës. E pyetën se ku do t’i çonte materialet, ku ndodheshin partizanët e se ku ndodhej e bija. Po ai heshti. I nxorën njërin sy. Ai përsëri heshti. I prenë njërin vesh. Përsëri heshtje. Pa thënë asnjë fjalë rezistoi derisa e masakruan me bajoneta e thika dhe pastaj e pushkatuan kur ndodhej në gjendje thuajse të pajetë. E flakën tutje të pavarrosur. Kjo skenë makabre, - theksojnë shënimet, - tronditi të gjithë burrat dhe gratë e fshatit. Po në mënyrë të veçantë Zyhranë, e cila kur pa me sytë e saj të atin të copëtuar në atë mënyrë, pësoi një goditje të rëndë nervore dhe u sëmur rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›