Kuvend, reforma në drejtësi, brenda tre javësh
TIRANË- Pas miratimit të projektbuxhetit të vitit 2009, tri javët e ardhshme, çështja me e debatueshme që do të shoqërojë punimet e këtij fundviti parlamentar, do të jetë reforma në drejtësi. Në kalendarin tri javor të punimeve të Kuvendit për periudhën (24 nëntor-15 dhjetor), është përfshirë paketa e projektligjeve që lidhen me reformën në drejtësi. Sipas kalendarit të miratuar për periudhën tri javore, Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë shqyrtimin e disa p/ligjeve të rëndësishme, pjesë e kësaj pakete, si p/ligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”, Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, “Për administratën gjyqësore”, etj. Deri në fund të këtij sesioni parlamentar, deputetët pritet që të debatojnë fort për projektligje të rëndësishme, siç janë ato për; "Për ekzekutimin e vendimeve penale”;P/ligji "Për avokaturën e shtetit";P/ligji “Për noterinë";P/ligji “Për shërbimin përmbarimor, gjyqësor, privat"; P/ligji “Për ndihmën juridike”. Ndërkohe që nuk janë miratuar ende edhe disa propozime të Ministrisë së Drejtësisë, që lidhen më një numër ndryshimesh në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Penal. Për të gjitha sa më sipër, Partia Demokratike do të duhet të kërkojë edhe konsensusin e partisë më të madhe të opozitës, PS-së. Kryeministri, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së se, mazhoranca do të synojë bashkëpunimin me PS-në për kalimin më konsensus të paketës ligjore, por në të njëjtën kohë la të kuptojë qartë se, në rast të kundërt, PD-ja do t’i kalojë ato edhe me forcën e kartonave.