LSI: I qendrojmë koalicionit me PD-në, deklarimi i Xhufit u njoftua nga zyra e Partisë Socialiste
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së sotme të disa anëtarëve të kryesisë së kësaj partie për të rikonsideruar marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, duke theksuar se "prioritet i programit të LSI-së është stabiliteti politik dhe integrimi i vendit”. Anëtari i kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli, duke iu përgjigjur kërkesës së mësipërme të disa anëtarëve të LSI-së, tha në një konferencë shtypi se "në Konventën Kombëtare të LSI-së ka qenë vetë z.Xhufi që ka bërë propozimin për mbështetjen e koalicionit të PD-së, por me kusht që LSI-ja të jepte votat e saj dhe të mos merrte pjesë në qeverisje. Është për të ardhur keq që njoftimi për deklaratën e Xhufit ka ardhur sot nga zyrat e Partisë Socialiste dhe jo nga zyrat e LSI-së si ka ndodhur gjithnjë”, theksoi Ylli, duke shtuar se “qëndrimi më i fundit që mbajnë deklaruesit ose përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj, është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës manipulative dhe korruptive të tij ndaj LSI”. Sipas Yllit, forumet më të larta të LSI-së, si Kryesia dhe Konventa Kombëtare, kanë marrë vendime unanime, transparente, në mbështetje të plotë të qëndrimit të saj për aleancën qeverisëse të integrimit, ndërsa deklaruesit e sotëm nuk kanë marrë pjesë në këto forume. Ylli theksoi se “LSI ka prioritet madhor atdheun dhe ne do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta personale dhe meskine, që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij”.
Apeli ndaj Metës
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi dhe katër anëtarë të tjerë të LSI-së, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Fatos Klosi dhe Mustafa Muçi, i bënë sot apel kreut të LSI-së, Ilir Meta, të rikonsiderojë marrëveshjen me Partinë Demokratike për bashkëqeverisje në katër vitet e ardhshme. Në deklaratën e përbashkët, të lexuar nga z.Xhufi, kërkohet që "Meta të ndalë aktin e fundit të marrëveshjes me Kryeministrin Berisha, pasi kjo nuk është ëndrra e simpatizantëve të majtë”.
...