E Shtunë, 31 Tetor 2026

E çoroditur, PS është në kërkim të vetvetes

“Kush nuk ecën përpara, shkon prapa” - Gëte -

Partia Socialiste është në kërkim të vetes. Me Ramën në krye nuk po di ç’kërkon. E “çliruar” nga tirani, u bë vetë e tillë. Pa mohuar trashëgiminë kriminale, nisi të mbahej  humaniste. Etalon i autoritarizmit, akuzoi për despotizëm demokracinë. Pa shkulur bunkerët e “nënës”, fajësoi si të prapambetur të djathtën. PS-ja nuk del dot nga pelenat e mëkatit, që mbart nga e kaluara. Edhe kur rrëmben pushtet, i trembet hijes së saj. Bukur e ka thënë një i ditur: “Askush nuk mund të jetë aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij”. E papenduar për mënxyrën, PS nisi të mburret si liberale. E mbarsur me paragjykime klasore, fajësoi viktimat për shkelje të ligjeve të “qoftëlargut”. Kjo mëkatare qahet si viktimë për barazimin me të gjithë përpara ligjit. Në pushtet krijoi sistemin e korrupsionit, në opozitë ia çmoi kundërshtarit dhe aksidentet si korrupsion. Duke bërë ortakërí me “Maliqin”, tërë kohën kërkoi pavarësinë e gjyqsorit. Ideatore e dhunës, shtiret sikur adhuron drejtësinë. Duke qenë mishërim i një paradoksi banal, ka etiketuar tërë kohën emancipimin si primitivizëm. Dhe, sa më shumë ka tentuar unitetin, aq më keq është thërmuar. Me Ramën në krye e shfaqi haptas megalomanínë. Edhe pse i humbi zgjedhjet, e shpalli veten fituese. Sot kërkon kongres të jashtëzakonshëm për të shfajësuar kukudhin, që e shpuri në humbje. Edhe u mburr për frymë kolegjialiteti, edhe lejoi personalizimin e plotë të fushatës zgjedhore. U detyrua të pranojë hyrjen në Parlament për të legalizuar në Asamblé mosnjohjen e zgjedhjeve të çertifikuara. P.S. tashmë nuk e njeh veten. Ajo nuk di ç’kërkon dhe ku vete. Më shumë duket si një konglomerat, që Rama mund ta blejë e ta shesë kur të dojë. Ky është iluzioni më fatal i Ramë delirantit. Është e vetetë thënia se ai që humbet vlerat, nuk ka identitet. PS-ja ecën kuturu, në çdo drejtim, tamam si një gaforre deti, e dalë nga uji. Transparencë njeh shpifjen. Konstruktivitet - nihilizmin. Pranon konsensus, po të bjerë shiu në arën e saj. Mallkon zgjedhjet që kanë firmosur komisionerët e vet dhe kërkon votime, gjersa t’i fitojë ato vetë. Kundërshtarin politik e  ka trajtuar si armik dhe akuzon të djathtën për nepotizëm ekstrem. Duke qënë simbol i despotizmit, zgjedh kryetar anarkistin më hipokrit. Dhe, kur ky merr fytyrën e mëkatarit, kujtohet ta largojë duke tentuar të vërë Nasin në vend të Tasit. Por Nastradini fut kandidat ca nulër, që të duket gjení dhe më profani. E çoroditur PS-ja ngre flamurin e integrimit dhe prish imazhin e vendit duke shpifur për zgjedhje të manipuluara. Nuk ndërtoi një rrugë të saktë në tetë vjet qeverisje dhe akuzon për vjedhje, kur të djathtët bëjnë autostrada historike. Sa më shumë tenton të duket e reformuar, aq më tepër vepron si dogmatike. Duke lënguar nga kriza brenda vetes, sajon të tilla në politikat e kundërshtarit. E mësuar t’i thotë të bardhës e zezë, nuk sheh një të mirë në ndryshimet madhore, që ka bërë e djathta. E verbuar, PS-ja ka nisur ta shohë shpëtimin tek ata që e nëpërkëmbin. Përgjithësisht ateiste, priret të adhurojë njeriun. I çorodituri i jep gjithmonë të drejtë vetes. P.S.-ja e ka humbur drejtpeshimin pas humbjes që pësoi. Është bërë paradoksale. Kur vjedh vetë, e quan korrupsionin mjet zhvillimi. Shpesh i shëmbëllen dhisë që përqesh delen, kur e sheh një herë “zbuluar”. Bashkëpuntore me krimin, akuzon të djathtën pse vetëflijohet për minimizimin e tij. P.S.-ja e ka të vështirë ndryshimin. E pasuruar me vjedhje, nuk e dëshiron integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Europë. E tmerruar nga ndëshkimi i mundshëm për zullumet e saj, nuk i përkrah reformat e thella në drejtësí. Nuk e përfill Rezulotën e KE-së për dënimet e krimeve të komunizmit. Sipas saj, Europa u dashka të marrë yrnek prej përvojës së saj klasore. Këshillat e miqve euroatlantikë i lexon kokëposhtë. E gatshme të qeveriste vetë me të djathtën, shpalli tradhëtar Metën, që e çmoi të interesit madhor bashkëpunimin. Edhe e shpërfilli, kur ky i shtriu dorën, edhe e mallkoi pse vendosi pa hyqmin e saj. PS-ja është mbyllur në egoizmin e asaj lavdisë false, varrosur me kohë nga demokracia. Edvin Rama është tepër i vogël për të shkundur atë mal mëkatesh, sidomos kur është dhe vetë i ngarkuar gjer në grykë. Ky liliput, që u trajtua si gjigand, hyri dhe vetë në rrugën e mëkatit. I kapur me presh në duar, akuzon gjithmonë “çarkun” jo lakminë e vet. PS-ja me të sot po nxjerr sytë, duke dashur të vinte vetulla. Taní që kërkon të ndahet prej tij, nuk largohet ai prej saj. “Politikanët” që prodhoi me populizmin, Rama tenton t’i përdorë për t’i fundosin gjithë zërat shpëtimtarë, që po guxojnë ta nxjerrin PS-në e mbytur nga uji. Kongresi i jashtëzakonshëm ka rrezik të shpallë fajtorë, pikërisht ata që kërkuan fajtorin e vërtetë. Vesi po tenton të blejë virtytin. PS-ja po brohoret, ndërkohë që po kthehet mbrapa. Analizat e gabimeve, siç po duken bathët, do të zëvendësohen me lavdinë e humbësit. Inercia e urrejtjes primitive do t’i mbysë hovet fisnike të shpirtrave të ekzaltuar. Të gjithë misionarët do të deklarohen armiq të progresit. PS-ja po tenton të kthehet në unitetin hipokrit enverist, prej të cilit bashkimi i mëkatarëve të papenduar shpreson t’i nxjerë të ata të shpëtuar. Por, kjo rrugë nuk të shpie larg. Nuk mund të zgjasë pa fund gënjeshtra, hipokrizia, blerja e dinjitetit të sovranit dhe, sidomos, shkatërrimi i ëndrrës së gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të europianizuar!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›