LSI: Interpelancë urgjente me Pangon për dhunimin e simboleve dhe të monumenteve historike
Lëvizja Socialiste për Integrim, menjëherë me rinisjen e sesionit të ri parlamentar do të kërkojë zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Kulturës, për shkak të gjendjes së vështirë të monumenteve të kulturës dhe historisë në Shqipëri. Një gjë e tillë është deklaruar dje nga zëvendëskryetari dhe njëkohësisht kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili shprehu shqetësimin për dhunimet e vazhdueshme që po pësojnë monumentet e kulturës dhe historisë, si në rastin e Manastirit të Shën Mërisë së Brarit, në afërsi të Tiranës. “Ky akt i fundit është një moment tjetër në “serial killing” të kulturës dhe historisë kombëtare që pikërisht edhe në këto ditë të nxehta të gushtit kanë shënuar hapa të tjerë. I referohemi këtu shkatërrimeve apo përdhosjes së monumenteve, të tilla si Manastiri i Mesopotamit i Shën Kollit në Mesopotam të Sarandës, ndërhyrjet dhe rrënimi i monumenteve në Gjirokastër, në Berat në Tepelenë, në kështjellën e Petrelës apo në kështjellën e Krujës. I referohemi gjithashtu tentativave për të denigruar figura të tilla, si ajo e Ismail Qemalit, me tentativën e fundit që u bë nga Rektori dhe nga një pjesë e Profesoratit të këtij Universiteti për të hequr emrin e Ismail Qemalit nga Universiteti Vlorës. Pra kemi të bëjmë me një fushatë të organizuar për të cilën organet përkatëse që merren me ruajtjen e monumenteve, që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, por dhe vetë qeveria mbajnë përgjegjësinë e tyre”, - tha Xhufi. Ai dënoi valën e shkatërrimeve dhe dhunimeve të monumenteve të kulturës si dhe denigrimit të personaliteteve dhe simboleve tona kombëtare. Xhufi deklaroi se për këtë arsye, LSI-ja do të kërkojë interpelancë urgjente me ministrin e Kulturës, Ylli Pango. “Ne si forcë politike e konsiderojmë si ngjarje të rëndë edhe këtë dhunim të fundit të Kishës së Shën Mërisë së Brarit dhe kërkojmë urgjentisht nga kryeministri që të thërrasë kudo ku është anti-ministri i Kulturës, z. Pango, qoftë në bregdetin e Vlorës, apo të Jonit, apo diku jashtë shtetit ta thërrasë, në mënyrë që ai të informohet vetë për gjendjen, për rrethanat dhe për gjendjen e monumentit të informojë qeverinë për një gjë të tillë dhe natyrisht të informojë dhe publikun e gjerë”, - tha Xhufi, i cili u bëri thirrje Akademisë së re të riformatuar të Shkencave, Qendrës Ndëruniversitare Albanologjike, Profesoratit të UT-së dhe të universiteteve të tjera të vendit, që të vijnë në vijë të parë siç u takon në mbrojtje të kulturës dhe të monumenteve të historisë dhe kulturës shqiptare.
15 Gusht 2008