Koalicioni i djathtë, lindja dhe shenjat e para të epilogut
Koalicioni i djathtë qeverisës u krijua gati një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 3 korrikut 2005. Kryetari i Partisë Demokratike ndërmori një proces negociatash midis palëve dhe nënshkroi me secilin prej krerëve të partive të vogla të djathta një marrëveshje bashkëpunimi. Berisha firmosi para zgjedhjeve të 3 korrikut marrëveshje me reformatorët, republikanët dhe me LZHK-në. Pas zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me dy parti, që në zgjedhje u futën si të majta, me Partinë Agrare Ambientaliste dhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kreu i PD-së nuk nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokristiane kur ajo drejtohej nga ish-kryetari Nikoll Lesi. Vetëm një vit pas zgjedhjeve, kur PDK-ja iu dorëzua Ndokës nga vetë kryetari Lesi, i cili dha dorëheqjen nga posti, u arrit të nënshkruhej marrëveshja e bashkimit midis PDK-së dhe PD-së. Teksti i marrëveshjeve të nënshkruara midis PD-së dhe partive të vogla ishte bashkëpunimi në kuadrin e qeverisjes së vendit kundrejt bashkëpunimit parlamentar. Kjo nënkuptoi dhënien e disa posteve qeverisëse secilës parti, duke u bazuar veçanërisht në numrin e deputetëve që secila parti kishte në Kuvend. Kundrejt posteve qeverisëse partitë e vogla duhej të mbështesnin çdo nismë të qeverisë në Kuvend. Për respektimin e marrëveshjeve midis PD-së dhe partive të vogla dhe për vendimmarrjen në nivel koalicioni kryeministri Berisha krijoi tryezën e partive të koalicionit. Por kjo tryezë më së shumti ka rezultuar e dështuar për faktin se është mbledhur pasi PD-ja e vetme ka marrë vendime për çështje të rëndësishme dhe pas reagimit të të vegjëlve sa herë u janë prekur interesat. Tryeza më tej ka shërbyer për të zgjidhur konfliktet midis PD-së dhe të vegjëlve dhe nuk i ka shërbyer vendimmarrjes në koalicion, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të krerëve të partive të vogla që kjo tryezë të funksionojë siç duhet. Duket se mungesa e një bashkëpunimi reciprok në vendimmarrje midis PD-së dhe aleatëve ka sjellë se fundi shenjat e para të shpërbërjes së koalicionit të djathtë. Megjithatë, periudha pragzgjedhore pritet të “flasë” shumë për marrëdhënien midis partive të djathta.
15 Gusht 2008