LSI: Jo më komisione bipartizane, të zgjerohet përbërja e tyre
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që në praktikat politike të mos ketë më komisione bipartizane, por në përbërjen e tyre të marrin pjesë edhe parti të tjera politike. Ky ishte qëndrimi që formuloi dje nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Sipas tij, në politikë nuk mund të vendosin vetëm dy partitë e mëdha, por vendime të rëndësishme siç është edhe amendimi i Kodit Zgjedhor, kërkojnë bashkëpunimin e të gjithëve. “Mund të them që ka ikur koha e dypolaritetit në këtë strukturë të Kuvendit dhe se për amendimin e kodit duhet dhe prania e partive jashtë dhe brenda Parlamentit”, sugjeron përfaqësuesi i LSI-së. Nga ana tjetër, një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale, Naço thekson se prania e përfaqësuesve të forcave të tjera politike, duhet të bëhet edhe te komisionet zgjedhore. Nënkryetari i Kuvendit thekson se pjesëmarrja e tyre në këto komisione bën të mundur më shumë transparencë dhe siguri në garat elektorale, të cilat pritet të ndodhin në vend. “Të gjitha partitë parlamentare të përfaqësohen me komisionerë. Ne e kemi vuajtur vetë mospasjen e komisionerëve dhe nuk kërkojmë që për shkak të kësaj formule, sot ne përfaqësohemi me komisionerë dhe të përjashtojmë forcat e tjera politike”, deklaroi përfaqësuesi i LSI-së.
Sipas tij, është e nevojshme që në komisionet zgjedhore të përfaqësohen jo vetëm partitë parlamentare, por edhe ato parti të cilat ende nuk janë pjesë e Parlamentit. “Ne kemi kërkuar që të gjitha partitë, sidomos ato parlamentare të përfaqësohen me komisionerë. Do ketë më shumë mundësi që këta komisionerë të mos bëjnë kompromise me njëri-tjetrin”, thekson Naço. Deputeti i LSI-së thekson se kjo parti e ka vuajtur prej vitesh mungesën e komisionerëve në komisionet zgjedhore dhe se ky ka qenë shkak për abuzime me votat e kësaj partie. Sipas tij, në rast se numri i komisionerëve rritet, mundësia e kompromiseve mes komisionerëve do të jetë shumë më e vogël sesa ajo që është aktualisht. Përgjatë lidhjes së marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe LSI-së për bashkëqeverisje, Ilir Meta theksoi se kjo forcë politike do të jepte kontributin për të amenduar Kodin Zgjedhor në favor të partive të vogla. LSI ka qenë një forcë politike, e cila ka kundërshtuar në mënyrë demonstrative paktin e bërë mes PD-së dhe PS-së për Kodin Zgjedhor, duke e quajtur hartimin e këtij Kodi një pazar të të “mëdhenjve” në kurriz të partive të vogla. Por problemet në Kodin aktual Zgjedhor i ka pranuar edhe Kryeministri Berisha, i cili ka theksuar se është i gatshëm ta amendojë atë në çdo moment.
#