E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mosbindja civile? As mos e përfytyroni dhunën!

“Shqipëria nuk mund të bëhet mbretëri e pashpallur”

E pandalshme, por civile dhe brenda normës demokratike. Kështu do të mund të përkufizohet protesta e Partisë Socialiste, e paralajmëruar për në datën 30 prill. Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka sqaruar dje modalitetin e këtij akti politik, në të cilën selia rozë ka investuar shumë. “Në rast se politika e shurdhërisë dhe e verbërisë do vazhdojë të jetë përgjigjja për përpjekjen tonë, përpjekja jonë do vazhdojë pa u ndalur dhe e përsëris me durim, me kurajë dhe me një këmbëngulje shembullore... Askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme, por horizonti i përfytyrimit të një rezistence popullore, paqësore, të vendosur, këmbëngulëse, është kaq i gjerë falë dhe shumë shembujve ku përpjekjet e njerëzve për të garantuar liri kanë pasur sukses”, deklaroi Rama. Ai preferoi t’u japë një përgjigje hamendësimeve që janë ngritur rreth ecurisë së protestës, e cila i dha mundësinë eksponentëve të mazhorancës që të paralajmërojnë mediatikisht se do të zbatohet forca e ligjit ndaj kujtdo që cenon rendin kushtetues. Një protestë paqësore, por e vijueshme në kohë. Kështu mund të jetë zbërthimi praktik i termit Mosbindje Civile, i vënë në lëvizje si instrument imponimi nga ana e opozitës së majtë. Jashtë përfytyrimit të një ballafaqimi të dhunshëm dhe përplasjes së pakontrolluar në rrugë, lëvizja e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj po e bën të qartë se tensioni social dhe ekonomik do të bëhet prezent përmes masës së qytetarëve të angazhuar dhe një insistimi që i përcjell qeverisë mesazhin e vërtetë të realitetit; në Shqipëri ka krizë të gjithanshme dhe se për këtë duhet marrë përgjegjësi. Për të argumentuar edhe një herë opinionin e selisë rozë në lidhje me faktet që ajo i sheh si arsye të daljes në protestë, Rama ka sjellë dje në vëmendje dy raporte nga organizma të pavarur; FRIDE dhe “Standard & Poor’s”. Në vlerësimin e tij, ato dokumentojnë si zëra të paanshëm situatën ekonomike dhe gjendjen e demokracisë në vendin tonë. Analiza e fakteve të mbledhura në terren sipas Ramës riaktualizon tanimë në mënyrë shkencore shqetësimet e opozitës, e cila duhet thënë se pavarësisht kauzës së drejtë është keqkuptuar për shkaqe që lidhen me taktikën politike. Ngritur mbi këto të dhëna konkrete, por edhe mbi një perceptim, i cili e zgjeron bazën e vet nga jeta e përditshme që përgënjeshtron sukseset e trumbetuara nga politika zyrtare, kryetari i Partisë Socialiste ka ofruar në mënyrë koncize një përkufizim të munguar për marrëdhënien e krijuar faktikisht mes pushtetit dhe publikut. “...ky vend nuk mund të kthehet në një mbretëri të pashpallur ku pasuritë e përbashkëta trajtohen si asete në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish, ku ligji zbatohet për ata që nuk kanë lidhje me pushtetin, ndërkohë që kush e përfaqëson pushtetin i shpëton zbatimit të ligjit dhe jeton në hapësirën pa ligj”, tha Edi Rama. Pushteti i zgjeruar i Kryeministrit dhe paraliza efektive e institucioneve që do të duhet të bënin kontrollin e pushtetit, në të vërtetë dëshmon për atë që mund të quhet një demokraci formale. Një ngrehinë shtetërore, ku vullneti i ekzekutivit praktikisht kapërcen normën për shkak të komprometimit të të gjithë mekanizmave rregullues në hullitë e manovrave të pafundme politike. “Një mbretëri e pashpallur” – që në kontekstin e sjellë nga drejtuesi i opozitës funksionon para syve të të gjithë shqiptarëve me parimin “ligji nis poshtë nesh”, përkthim i të cilit është abuzimi flagrant me asetet publike. “Po luhet kumar me përfitimet e menjëhershme me të ardhmen e vendit dhe këtu është i gjithë problemi...”, vijoi Rama në një prononcim publik përtej të cilit nuk mund të thuhet më asgjë sqaruese. Ligjërimi i tij politik, ashtu sikurse ai i të gjithë përfaqësuesve të opozitës, e ka kthyer lëvizjen e rrugës një instrument që në mos do të dominojë që tani perspektivën politike, minimalisht do të ripërmasojë komunikimin me pushtetin që deri më tani nën ombrellën e krijuar mirë të legjitimitetit po manipulon realitetin e krizës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›