E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqetësimi është i drejtë, opozita do reagojë

I pyetur nga mediat për marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale midis Greqisë dhe Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se ka përcjellë me shumë vëmendje të gjithë zërat që kanë qenë vërtet të shqetësuar. "Kam kërkuar që një ekip i ngushtë ekspertësh të së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare ta ndjekë me shumë vëmendje këtë çështje, e cila me sa duket flet për një tjetër ngarkesë të rëndë për qeverinë shqiptare, një pushtet njerëzish që janë shumë të papërgjegjshëm për të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesa të mëdha", theksoi Rama. Në çastin kur ekipi ynë do të japë një opinion përfundimtar, tha ai, pa asnjë dyshim ne do të reagojmë në rrugën e duhur dhe do të bëjmë atë që na takon.

"Është e rëndësishme që në çështje të tilla, ku kërkohet mendimi i specialistëve, politika të qëndrojë një hap prapa dhe zëri zyrtar i opozitës të ngrihet atëherë kur faktet flasin qartë dhe shqetësimi është i mbështetur jo mbi emocione negative dhe as mbi normën e opozitarizimit, por mbi argumente bindëse që me sa duket në rastin konkret nuk mungojnë", u shpreh Rama. Marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar Shqipëri-Greqi ka gjetur prej ditësh kundërshtim nga historianë, studiues dhe përfaqësues të medias. Marrëveshja shqiptaro-greke për kufijtë detarë është nënshkruar disa muaj më parë pas vizitës së Kryeministrit grek, Karamanlis, në Tiranë dhe e miratuar nga Komisioni parlamentar i Ligjeve më 25 shtator. Fati i marrëveshjes është në dorë të Kuvendit, i cili ka të drejtë ta miratojë atë me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që nga përfaqësues të shoqërive civile kjo çështje ka hasur shumë debate. Gjatë analizës dhe diskutimeve janë hedhur poshtë të gjitha deklaratat e Kryeministrit, që ka deklaruar se Greqisë nuk i është falur asnjë metër tokë. Sipas shoqërisë civile, ratifikimi i marrëveshjes duhet të shtyhet deri në vërtetimin dhe analizimin e plotë të saj. Prej muajsh në mediat shqiptare po përflitet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për kalimin në favor të Greqisë të rreth 354.4 kilometrave katrorë nga ujërat detare të territorit tonë. Kjo marrëveshje është shumë e përfolur dhe e lakuar edhe nga shoqëria civile. Janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, lidhur me përfitimet e shtetit grek në këtë histori. Madje, studiues të ndryshëm shqiptarë kanë hedhur dyshimet e tyre se tabani i zonës në fjalë është naftëmbajtës. Ndërkaq, nga autoritetet e vendit tonë nuk është bërë asnjëherë e ditur se cila është arsyeja e kalimit të këtij territori detar fqinjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›