LSI: Koalicioni me PS? S’ merremi me halucinacionet e Ramës
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron kohë të humbur përfshirjen në debatin për një bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ka qenë sekretari përgjithshëm i kësaj force, Luan Rama ai që ka injoruar çdo debat të hapur për këtë çështje, duke theksuar se forca që ai përfaqëson ka tashmë objektivat e saj për të rritur mbështetjen në elektorat. “Çështjet me të cilat ne po merremi janë shumë më të rëndësishme dhe që lidhen me jetën, me cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmen e tyre europiane. Nga kjo pikëpamje më lejoni të përsëris dhe një herë me shumë realizëm dhe me shumë modesti që nuk kemi kohë të humbasim me lajthitjet dhe halucinacionet e një humbësi të pakorrigjueshëm apo të një humbësi profesionist”, - tha Luan Rama. Ndërkohë ai ka bërë të ditur se LSI po punon fort që rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit vendore ta thellojë edhe më tej, ndaj dhe po punon fort me riorganizimin e strukturave. “Natyrisht që kjo fazë ka një synim: fitorja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme politike në vitin 2013, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër, jo vetëm të konsolidojë atë rezultat spektakolar që arriti Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale, por edhe ta zgjerojë dhe ta rrisë peshën dhe mbështetjen politike dhe elektorale të qytetarëve shqiptarë ndaj LSI-së”, - tha Rama. Ai ka folur edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe sidomos ideve për një bashkim të tyre, duke bërë të qartë se për LSI-në këto dy shtete do bashkohen në BE.