E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-emigrantëve: Duhet të vini sa më të shumtë në ditën e votimit

Vota e emigrantëve është pjesë e rëndësishme e programit të ri të socialistëve. Por kjo jo si një përpjekje për të bërë të mundur që emigrantët të votojnë atje ku jetojnë, por për t’i organizuar ata që të vijnë të votojnë në Shqipëri. Ende edhe pse kemi hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit 21, politika shqiptare mendon vetëm t’u marrë votën emigrantëve, por jo të punojë për të krijuar mundësi atyre që ta shprehin vullnetin e tyre atje ku banojnë dhe punojnë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kreu socialist, Rama, i cili pavarësisht faktit se në Kuvendin e Shqipërisë është ngritur një komision parlamentar për të realizuar reformën zgjedhore, u ka kërkuar emigrantëve që ishin të pranishëm në takimin e tij në Selanik që të vijnë dhe të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. “Në rast se këtu ju s’keni pasur shumë për të bërë në kuptimin për ta influencuar politikën për arsye që dihen, në Shqipëri ju keni shumë për të bërë, për Shqipërinë ju keni shumë për të bërë. Kjo do të thotë që ta mendoni veten pjesë të procesit politik dhe të ndikoni dhe ndihmoni që sa më shumë prej jush të organizohen dhe të vijnë për të votuar. Sa më shumë prej jush, me çdo mënyrë, me çdo rrugë, me çdo sakrificë, sepse dita e votimit përcakton jo thjesht se kush fiton atje, por se si do të jetë Shqipëria me ju dhe çfarë Shqipërie do të keni ju. Dhe, sa Shqipëria do të jetë në gjendje t’ju dëgjojë, t’ju hapë derën, t’ju mbështesë, t’ju riintegrojë”, - tha Rama në fjalën e tij. Një takim ku u fol gjatë edhe për librin “Kurbani”, Edi Rama ka vlerësuar shqiptarët që jetojnë në emigracion jo vetëm si aktorë ekonomikë të rëndësishëm në vend, por dhe si aksionerë të vyer për politikën në Shqipëri. Rama theksoi në këtë bisedë të lirshme me shqiptarë që jetojnë në Greqi, bindjen se Shqipëria në kushtet që është sot pas 20 vitesh nuk mund ta bëjë dot kapërcimin e madh pa mbështetjen e kësaj bashkësie shqiptarësh, të cilët janë një potencial në kuptimin e mendësisë demokratike dhe sociale: “Unë besoj që Shqipëria në kushtet që është sot dhe mbas 20 vjetëve që kanë kaluar, nuk mund ta bëjë dot kapërcimin e madh pa mbështetjen tuaj. Jo mbështetjen ekonomike, por mbështetjen politike. Kjo që po them s’ka të bëjë me interesin partiak timin, kjo ka të bëjë me një të vërtetë absolute, sipas meje. Ju përfaqësoni jo vetëm Shqipërinë që punon pa u shmangur dot asnjë minutë nga puna. Jo vetëm Shqipërinë që ushqehet me frytet e një sakrifice të jashtëzakonshme. Jo vetëm Shqipërinë që kacavirret për t’u ngjitur lart bashkë me fëmijët dhe për t’i ngritur ata në një nivel më të lartë, por përfaqësoni edhe Shqipërinë që ka shumë më tepër demokraci brenda vetes, ka shumë më tepër mendësi të lirë dhe demokratike”, - u shpreh kryesocialisti. Lideri i opozitës shoqërohej përveçse nga bashkëshortja e tij Linda Rama, edhe nga sekretari për emigracionin dhe rininë në PS, Erion Veliaj, nga deputeti, njëherësh sekretar i grupit kuvendor të PS, Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. Kryetari i PS ka zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Janis Butaris. Një takim miqësor, ku kreu i PS-së i ka dhënë jo vetëm librin “Kurban”, po edhe një dhuratë simbolike me elementë të traditës shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›