Malaj: Zgjidhja nuk është përjashtimi i Islamit
Ashtu si edhe në kryesi, deputeti Arben Malaj ka dalë në krah të kolegut të tij Kastriot Islami dhe shprehet se përjashtimi nuk është rruga që mund të zgjidhë një konflikt apo një krizë. Sërish edhe ai duke komentuar në faqen e tij në internet ka theksuar se zgjidhja është të ulen rastet konkrete dhe te demokratizimi i partive politike. “Unë ju kërkova mirëkuptim të diskutojmë rreth idesë, si të zhdukim rrënjët e krizave, konflikteve politike dhe grindjeve, në çdo rast rruga nuk do të jetë përjashtimi i kolegëve, por ulja e rasteve konkrete që i nxisin këto kriza”, - shprehet Malaj. Demokratizimi i partive sipas Malajt dhe vendosja e rregullave të qarta të funksionimit të tyre duke nisur që nga përcaktimi i mandatit të drejtuesve të tyre, janë rrugët që duhen ndjekur për të gjetur zgjidhje afatgjata. “Pra të demokratizojmë partitë politike, të ndalim radikalizmin e partive politike, të ndalim kapjen e shtetit, të ndalim kapjen e partive politike, të kufizojmë vitet që i njëjti person qëndron në një mandat politik në parti apo në qeverisjen e vendit në nivel vendor dhe qendror, të mbështesim meritokracinë, jo karrierën me telekomandë, t’u kërkojmë deputetëve të jenë aktivë dhe të kenë integritet personal e politik dhe jo t’i shndërrojmë në manekinë apo kartona solidarë”, - shprehet Malaj. Ndaj ai thekson se duhet të diskutohet dhe individët të mos ndahen thjesht në pro dhe kundër, por të gjejnë zgjidhjet më të mira afatgjata, “jo thjesht si i pëlqen disa individëve, por si duhet të jetë në favor të gjithë shqiptarëve”.