Fier-Berat, një nga rrugët më të dëmtuara
Rruga nacionale Fier-Berat mund të thuash pa frikë se është një nga rrugët më problematike në vendin tonë. Në shumë segmente të saj, ajo është e shkatërruar. Në segmentin rrugor Zharzë-Kuman-hyrje e Roskovecit deri në dalje të kësaj qyteze, rruga është gjithë gropa të mbushura me ujë.
Rruga është shndërruar në një gangrenë të vërtetë për drejtuesit e mjeteve, të cilët mallkojnë veten sa herë u duhet të kalojnë në të. Ky i fundit është lënë pas dore. Si rezultat i kësaj, rruga sa vjen dhe shkatërrohet çdo ditë e më shumë, ndërsa gropat e mbushura me ujë janë bërë të rrezikshme për qindra mjete sidomos ato tip vetura, të cilat ecin me frikë se mos mjeti mbetet mes të rrugës.
Drejtuesit e mjeteve të pyetur për gjendjen e rëndë të kësaj rruge shprehen në ironi se pellgjeve me ujë tashmë u mungon rasati, i cili në këto kushte mund të rritet në këto ujëra. Gjithsesi derisa dikush nga institucionet që merren me rregullimin e rrugëve të kujtohet, drejtuesit mjeteve që udhëtojnë në këtë rrugë nacionale do ta vuajnë atë. / K.Thana