E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Meta: Për aleancat në zgjedhje, vendimi në 2013

TIRANE - Kreu i LSI-së, Ilir Meta hedh dritë mbi negociatat mes pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri. I ftuar në emisionin “Top Story”, të gazetarit, Sokol Balla në Top Channel, Ilir Meta foli për përpjekjet e mazhorancës për një president konsensual dhe pse u rikthyen tek një president politik. Z.Meta u ndal edhe tek mundësia e ndryshimeve në qeveri pas ikjes së Bujar Nishanit duke thënë se qeveria duhet të jetë më dinamike.
Z.Meta, pas kthimit nga SHBA ju folët për një proces konsesual, por tashmë keni një president partiak. U bë shumë zhurmë për asgjë?
Nuk është aspak kështu. Mendoj se zgjedhja e presidentit të ri, i cili tani quhet Bujar Nishani nuk ka qenë një zgjedhje aspak arrogante e mazhorancës as e paramenduar dhe as e paragjykuar. Ka qenë rezultat i një procesi i cili pati të papriturat dhe zhvillimet e tij i cili lidhet dhe me afatet kushtetuese. Që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe me zgjedhjet e parakohshme që nuk i duhen aspak vendit kur vendi pret të marrë statusin e vendit kandidat. Unë e kam votuar z. Nishani dhe jam i qetë për këtë jo se kam votuar një anëtar të kryesisë të PD-së apo një ministër sepse unë kam votuar në fund të fundit një koleg të cilin e kam shumë në konsideratë pasi është politikan shumë korrekt, institucional, shumë njerëzor dhe jam i bindur se duke hequr kostumin e ministrit dhe këmishën blu të PD-së dhe ta veshë atë të presidencës do të dijë ta ushtrojë këtë detyrë për të qenë një president sa më bashkëpunues dhe një president që do t’i shërbejë në radhë të parë vendit.
Pse ndryshuat qëndrim, çfarë ndodhi?
Qëndrimi im ka qenë në koherencë të plotë. Kam qenë për një proces sa më konstruktiv dhe sa më konsesual. Edhe pse mazhoranca e kishte shumicën, nuk kishte pse ta konfirmonte këtë në mënyrë arrogante, por qëllimi ishte për të ndërtuar një proces ku të kishim një mazhorancë dhe një opozitë. Në këtë drejtim duhej punuar në një zonë të ndërmjetme për të ndërtuar një situatë bashkëpunuese. Kam punuar shumë që figura e Zaganjorit të promovohej brenda mazhorancës dhe të pranohej dhe nga mazhoranca. Ishte një figurë që mund të bënte të mundur konsensusin mes dy palëve për shkak të pozitës si anëtar i Kushtetueses, për shkak të karrierës akademike dhe një përvojë diplomatike që do ta konsideroja të rëndësishme. Të gjitha këto do ta bënin të pranueshme. Pati një defekt, pati ndërkohë editoriale që nuk ishin në frymën e saj dhe pastaj mendova se do ta kishim të vështirë por ditën që të del emri për president, atëherë të dalin sulmet, të dalin histori që kurrë nuk të kanë dalë në jetë. Megjithatë ideja ishte për të paraqitur një listë kandidatësh. Ne dëshironim një listë jo shumë të gjatë, pasi nuk është mirë të marrësh nëpër gojë njerëz që nuk i ke takuar asnjëherë dhe ne selektuam disa emra z.Berisha, Mediu, Idrizi dhe unë. Këto diskutime bëheshin pasdite vonë dhe pasi kemi bërë disa telefonata, disa nuk e pranonin pasi jo të gjithë duan të bëhen president si në rastin e z. Kuko para 10 ditësh, dhe duke qenë koha e kufizuar, në momentin që ramë dakord për emrin e Zaganjorit, me idenë dhe vullnetin më serioz, është bërë komunikimi mes krerëve të grupeve parlamentare. Kjo është rrethanë që ka të bëjë me kohën. Por, procesi pati defekte pasi e tillë është jeta politikë në vend.
E vërtetë që Artan Hoxha u propozua që në raundin e parë të bisedimeve ?
Po i është propozuar në raundin e parë dhe z. Hoxha nuk ka pranuar. Mazhoranca priste kundërpropozimin e palës tjetër.
Pse hoqët dorë nga standarti “Zaganjori” për emra politik?
E gjithë mazhoranca hyri në këtë proces për t’i shërbyer këtij procesi. Tërheqja e Zaganjorit ishte rezultati i sovranit të ri, por edhe mos dhënies së konsensusit por edhe si rezultat i sulmeve që i ishin adresuar atij. Çdo figurë jashtë politikës, i sheh të gjithë mundësitë që të përbaltej për arsye politike. Kështu që nuk kishim shumë kohë dhe nuk ishte e lehtë të gjejë personalitet pasi disa edhe nuk kishin pranuar. Kështu që vlerësuam se do të ishte më mirë që të qëndronim tek disa figura që të ishin dhe politike dhe jashtë saj dhe qëndruam tek 4 emra.
Çfarë ndodhi me z. Hoxha i cili para se të tërhiqej u rrethua nga garda?
Z.Hoxha është një njeri shumë simpatik sipas vlerësimit dhe gjykimit tim. Ky vlerësim vjen që nga koha kur ka qenë ministër dhe për shkak të njohjeve të vazhdueshme. Kam gjykuar racionalitetin e tij dhe për faktin që është një njeri i programuar. Z. Hoxha nuk ka pasur ndonjë ambicie për këtë post. Ka refuzuar dhe më parë poste të tjera ndoshta ngaqë i ka konsumuar në moshë të re. E pati këtë mundësi. E rivlerësoi pa ndonjë optimizëm, me idenë për t’i shërbyer zgjidhjes. Për tërheqjen e tij mendoj se ka shpresuar se nuk do të kishte arsye që të kundërshtohej seriozisht. Kishte marrë mesazhe urimi, ndërkohë që paraditen kur pritej të fillonte kuvendi, ai ishte sulmuar, denigruar e shantazhuar në forma fare të ulëta për çështje që për mendimin tim janë spekulative. Kam qenë bashkë me të dhe z. Berisha ku gjykoi dhe vlerësoi se në këto kushte nëse ju mendoni që unë të ecë përpara, nuk kam asnjë problem, këtë janë shpifje por në këtë situatë nuk mund të vazhdoj. Ideja ishte për të ecur përpara për një figurë jopartiake, për t’i dhënë mundësi edhe opozitës.
Bëhet fjalë për shantazh tjetër apo për atë që u diskutua në mbledhjen e komisionit të ligjeve ?
Nuk dua të hyjë në çështje të tjera, por absolutisht nuk ka patur asgjë serioze në këtë mes.
Ku e gjen veten LSI në të gjithë këtë histori ?
Ky proces për ne nuk ka qenë i lidhur me emra të kushtëzuar. Për ne mund të ishte znj. Topalli, dhe përderisa është kryeparlamentare do ta pranoja dhe presidente. Por, me vjen keq që është anatemuar ndërkohë që nuk ka deklaruar se do të kandidonte për presidente të republikës. Një figurë e LSI-së mund të ishte idealja për konsensus por ne i qëndruam deri në fund parimit tonë, për një proces kushtetues.
Pas zgjedhjes së presidentit ju keni llogaritur dhe një përfitim në aleancën me PD, çfarë fituat ju në këtë proces ?
Ne kemi një marrëveshje që me PD të zgjedhim me konsensus presidentin e republikës. Ideja e Ramës për një mocion etj, për mua nuk qëndron. E rëndësishme është të kuptojmë që LSI kishte në këtë marrëveshje që të realizonte një marrëveshje e cila do të krijonte një hapësirë, ose do të bashkëpunimin me PS për të zgjedhur figura të tjera të pranueshme si mejdani etj. Marrëveshja është për zbatim dhe përpjekja jonë për të dalë me emrin e Zaganjorit ka qenë tepër serioze për të shkuar tek një konsensus sa më normal. Nuk kisha iluzion që PD duke qenë se është forca kryesore në parlament, që t’i dhuronte presidentin opozitës. E rëndësishme ishte për të votuar figura të një profili shumë të lartë.
Në këtë marrëveshje LSI duhet të propozojë kryeprokurorin e përgjithshëm ?
Absolutisht LSI është e bindur që ky proces është i rëndësishëm, pasi gjithsesi solli takimin Berisha - Rama. Takimi i tretë mund të jetë më i rëndësishëm, vet takimet sjellin rezultate.
Takimi juaj me z.Rama është i rëndësishëm?
Mendoj se më e rëndësishme është që z. Rama prej nëntorit të vitit të kaluar ka një kurs më konstruktiv, më evropian dhe është treguar i interesuar për të kontribuar në proceset integruese dhe duhet të vazhdohet në këtë rrugë. Në takimin që kam patur me z. Rama kam diskutuar 4 çështje.
E vërtetë që hëngrët ngjala tek Gjiri i Lalzit?
Nuk ka ngjala në gjirin e Lalzit. Mendoj që është e rëndësishme që të fokusohemi drejt së ardhmes.
U fol për çështjen e presidentit në darkën në Gjirin e Lalzit?
Kjo është çështje është përmendur në këtë kontekst, që është i rëndësishëm si proces dhe absolutisht nuk është përmendur asnjë emër. Unë nuk kisha akoma me z.Berisha për çështjen për presidentin dhe këtë duhet ta bëjë pasi me atë kam një marrëveshje konkrete. Ndaj me Ramën nuk kemi patur asnjë aleancë presidenciale.
Cili do të jetë qëndrimi juaj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Llogaria më e rëndësishme është që duhet të bëjmë të gjithë pas përfundimit të zgjedhjes së presidentit, do të bashkohesha me vlerësimin e ambasadorit italian si një zgjedhje pozitive. Tani duhet të përqendrohemi tek çështja e reformës zgjedhore dhe mbylljes së parlamentit.
Z. Patozi ua mbylli dyert për të marrë Ministrinë e Brendshme...
LSI nuk ka kërkuar Ministrinë e Brendshme aq më tepër që kjo i takon PD-së. Nuk kemi kërkuar asnjë institucion, por kemi kërkuar që të jetë sa më fleksibël për çështjen e presidentit që mos të vendosë shumica dhe arroganca.
Do ta pranoni Ministrinë e Brendshme nëse ua ofrojnë?
Së pari nuk të jep dikush diçka që nuk e pranon. Nuk është e rëndësishme për ne raporti i ministrave dhe zëvendësministrave. Prioritet ynë është që të përfitojmë për proceset integruese të vendit.
A do të bashkëpunoni me PS-në?
Është e rëndësishme që politikanët shqiptarë të bashkëpunojmë. Pra që z.Berisha me z.Rama të bashkëpunojmë. Në këtë drejtim unë kam deklaruar se jam i hapur për të bashkëpunuar për gjithçka që është në interes të vendit dhe sot mbetet që t’i japim një start të ri këtyre.
Pra ju do të qëndroni në koalicion me PD?
Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes që kemi.
Niveli i lartë i korrupsionit sipas jush bën përgjegjës ministrat tuaj apo qeverinë në tërësi?
Nuk kam këtu për të bërë gjykatësin pasi në fund të fundit e bëjnë qytetarët një herë në 4 vjet, por është një mundësi për të ecur përpara. Është një mundësi për hequr imunitetin e të gjithë politikanëve, kjo do tu jepte organeve të drejtësisë për të hetuar dhe një mundësi për frenuar sidomos për nivelet larta.
Jeni për ndryshime në qeveri?
Absolutisht që kjo qeveri dhe shoqëria jonë kanë nevojë të ecin më shpejt. Kur flasim për ndryshime nuk dua të kem në konsideratë emrat, por kërkohet një axhendë më dinamike. E dimë që vendet e tjera po vuajnë krizën, edhe Shqipëria është prekur por ka vendosur të qëndrojë por kryesore është që në të ardhmen të zgjidhim çështjet që kanë të bëjnë me statusin e vendit kandidat.
Lëvizjen Nano e shikoni si një lëvizje që do të dëmtojë edhe LSI-në?
Nuk mund të bëj një vlerësim thjesht nga mesazhet e nisura. Kjo është një çështje që i takon në radhë të parë z.Nano dhe është një çështje e PS-së dhe nuk preferoj të shprehem dhe të pozicionohem pasi nuk dua të ndikohem në këto raporte.
Z. Rama ka folur për diversion në rastin e kandidaturës së z.Nano, por a mendoni se emri i Nanos u keqpërdor nga të gjithë ju në negociata?
Nuk është kështu pasi z.Nano u vetëofrua me argumentet që ai ka renditur dhe me bindjen që mund të pranohej nga të gjitha palët edhe për vet faktin se vinte nga PS-ja dhe se kishte bashkëpunuar me z.Berisha. Nëse i referoheni takimit mes Berishës dhe Nanos ai bëri të qartë se nuk do ta mbështeste këtë figurë pasi e konsideronte figurë të PS-së.
Ju ka kërkuar ju z.Nano që ta kandidonit?
Dihet që z. Idrizi ka patur një raport që tashmë dihet me z.Nano dhe e ka ngritur si emër në bisedime dhe z.Berisha ka thënë që nëse e kandidonin z.Nano, edhe ne do të paraqitnim një figurë të lartë. Nuk dua të bëj transkriptet e bisedime por z. Idrizi e ka bërë të qartë publikisht propozimin e tij. Unë personalisht i kam parë të vështira për shanse për arsye sepse dukej qartë se ishte përpjekje për të dalë jashtë politikës dhe ashtu bën realisht si me Zaganjorin dhe me Hoxhën.
Ju prisnit që ta kandidonte PS-ja dhe ju do ta mbështesnit?
Kjo ishte një çështje tjetër, kjo i takonte LSI-së nëse do ta propozonim. Ne kishim një marrëveshje me PD-në.
Nëse do të propozohej, ju besoni se do të rrëzohej?
Qëllimi ynë nuk ka qenë për të kushtëzuar as PD-në dhe as PS-në, as Nanon apo dikë tjetër, por për t’i shërbyer procesit. Nëse takimi Berisha - Rama do të bëhej dy javë para se të fillonin procedurat sigurisht do të kishim patur një president konsesual.
E rëndësishme është që të vazhdojë fryma e bashkëpunimit dhe dialogut.
Më 2013-ën do të jeni sërish në koalicion me PD-në?
Ne kemi një marrëveshje do ta zbatojmë atë. Kur të vijë kohë do të diskutohet nga forumet e kësaj partie.
Pas zgjedhjes së presidentit, Kastriot Islami është më pranë LSI-së.
Z.Islami është një figurë shumë integruese, që do të thotë punon dhe bashkëpunon me të gjithë. Kjo nuk është çështje shumë e rëndësishme. Gjithçka mbetet në vendimet e individëve kur bëhet fjalë për njerëz me integritet si z.Islami. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›