LSI: Ndryshim përfaqësimi në qeveri? Nuk është tabu
Sekretari i përgjithshëm Luan Rama e la të hapur mundësinë e ndërhyrjes në portofolet ministrore pas nisjes së sesionit të ri kuvendor
Rifillimi i sesionit parlamentar mund të sjellë ndryshim në përfaqësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në kabinetin qeveritar. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, nuk e ka mohuar këtë mundësi, teksa u pyet dje nga media në lidhje me debatin e brendshëm pas akuzave të deputetit Vangjel Tavo ndaj ministrit Petrit Vasili. Rama vlerësoi se çdo kritikë konstruktive, që vjen si rrjedhojë e vullnetit për të kontribuar në përmirësimin e qeverisjes dhe performancës së përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në të gjitha nivelet e qeverisjes është e mirëpritur. Pyetjes së gazetarëve nëse vjeshta mund të sjellë edhe ndryshim në përfaqësimin e kësaj partie në kabinetin qeveritar, Rama iu përgjigj se “ndryshimet nuk janë tabu”. Në të njëjtën kohë, sekretari i përgjithshëm konstatoi se një forcë politike vitale, me energji dhe kapacitete që dominohen nga një vizion i ri, siç ndodh me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndryshimin e ka në angazhimin e vet politik. Këto komente vijnë vetëm pak ditë pasi brenda LSI-së duket se është shfaqur një konflikt i brendshëm që ka në qendër të vet ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili. Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili aktualisht mban edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, ka denoncuar publikisht këtë dikaster dhe ka sulmuar ministrin për korrupsionin në shëndetësi. Deklaratat janë shtuar muajt e fundit, ndërsa zyrtarisht LSI ka komentuar këtë çka po ndodh duke vlerësuar se kemi të bëjmë me sulme të natyrës personale. Ndryshe nga herët e tjera, kur janë shfaqur konflikte të ngjashme, tanimë bën përshtypje fakti se mungon prononcimi publik i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ministri Petrit Vasili është i vetmi që i ka rezistuar deri më tani problemeve të brendshme, pasi Ilir Meta dhe Dritan Prifti që u zgjodhën në të njëjtën kohë ministra pas zgjedhjeve të vitit 2009 tanimë ndodhen jashtë kabinetit qeverisës. Gjatë komunikimit me median, Rama komentoi edhe debatin e hapur së fundi në lidhje me emrin e kandidatit për President të Shqipërisë. LSI i cilëson shterp debatet për zgjedhjen e emrit të Presidentit të ri. Sipas Luan Ramës, diskutimet janë të pavend kur Presidenti është në krye të detyrës. Në këtë formë duket se partia e dytë në mazhorancë, ndryshe nga subjektet e tjera politike, nuk ka dashur të pozicionohet hapur dhe publikisht në mbështetje apo në kundërshti me ndonjërin prej emrave të përfolur në shtyp. Funksionari i Lëvizjes Socialiste për Integrim insistoi te nevoja e kryerjes së një reforme zgjedhore, çka, sipas tij, përbën një sfidë dhe angazhim real për muajt e ardhshëm. “Kërkohet një vullnet real, gatishmëri për të kontribuar që të gjithë së bashku, mazhorancë dhe opozitë, parti të ashtuquajtura të mëdha e të vogla”, insistoi Rama. Gjithçka në këndvështrimin e tij duhet të jetë në përputhje me ato sugjerime dhe rekomandime që komuniteti ndërkombëtar i ka bërë klasës politike dhe institucioneve shqiptare pas proceseve të fundit elektorale. Prioritetet e ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor pritet të qartësohen edhe më tej pas publikimit të raportit përfundimtar për zgjedhjet nga ana e OSBE/ODIHR-it.