Nishani: As ligjet nuk ndryshohen pas tre vitesh, jo më Kushtetuta
“Të trajtosh ndryshimet kushtetuese në këtë prizëm, unë do thosha se, në radhë të parë, është një qëndrim jo korrekt ndaj Kushtetutës në konceptin doktrinal, por edhe në sjelljen shoqëror ndaj Kushtetutës dhe sistemit”
Afrimi i sezonit të ri politik ka shtuar dhe debatet në distancë lidhur me propozimin e bërë publikisht nga socialistët për të ndryshuar ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën. Por ndërsa të majtët këmbëngulin se shtatori duhet të fillojë me reformën kushtetutëse për të vijuar më pas me të gjitha reformat e tjera të domosdoshme, të djathtët janë të prerë në kundërshtimin e një nisme të tillë, duke e konsideruar të panevojshme dhe për më shumë në funksion të interesave personale të lidershipit socialist. Së fundmi, zërave kundërshtues i është shtuar edhe ish-ministri i Drejtësisë, sot ministër i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili duke folur për mediat ka theksuar një ligj kaq i rëndësishëm siç është Kushtetuta nuk mund të ndryshohet kaq shpesh.
Ndryshimet
Gjatë një prononcimi mediatik kreu i Ministrisë së Brendshme dhe anëtari i kryesisë PD-së, Bujar Nishani, shprehet kundër një ndryshimi të mundshëm të Kushtetutës. Kjo, sipas tij, jo për shkak të përmbajtjes së propozimeve të socialistëve, por thjesht një çështje parimore që ka të bëjë me vetë ligjin themeltar të shtetit. Sipas tij, është e pajustifikueshme që edhe ligjet e thjeshta të mund të ndryshohen në afate të shkurtra kohore dhe jo më një ligj i një rëndësie të tillë siç është Kushtetuta. “Në praktikën tonë legjislative nuk ka ligje të thjeshta që të amendohen më herët se katër apo pesë vjet”, - tha Nishani. Ndaj, ka konstatuar ai, të kërkosh të ndryshosh pas tre vitesh sërish këtë ligj, do të thotë ta vësh atë në funksion të interesave të çastit dhe jo të interesave të afatgjata të një shteti të fortë dhe demokratik. “Të trajtosh ndryshimet kushtetuese në këtë prizëm, unë do thosha se në radhë të parë është një qëndrim jo korrekt ndaj Kushtetutës në konceptin doktrinal, por edhe në sjelljen shoqëror ndaj Kushtetutës dhe sistemit”, - theksoi Nishani.
Kushtetuta
Më tej ministri demokrat ka evidentuar faktin se ndërhyrjet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008 ishin të goditura, pasi ato shmangën krizën institucionale në vend. Falë tyre, ka theksuar ai, u bë e mundur që vendin të mos e kërcënojnë më krizat institucionale që mund të sillte momenti i zgjedhjes së kreut të shtetit. “Të gjitha ndryshimet që iu bënë Kushtetutës ishin pikërisht për të eliminuar krijimin e ngërçeve artifiaciale. Kështu që unë besoj se përsa kohë Kushtetuta arriti të evidentonte ngërçe të mundshme konstitucionale dhe institucionale të vendit, besoj se ka qenë një arritje dhe afrim me standardet e mjaft vendeve të konsoliduara të BE-së”, - u shpreh Nishani. Më parë edhe figura të tjera demokrate kanë shprehur qëndrimin kundër ndryshimeve të propozuara së fundmi nga socialistët, duke vënë në dukje faktin se Kushtetuta nuk është statut i Partisë Socialiste.