Berisha e Topalli homazhe për deputetin Dibra
Kryeministri dhe kryeparlamentarja morën pjesë në ceremoninë mortore në kryeqendrën e Veriut, në qytetin e Shkodrës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje pasdite homazhe në nderim të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Gëzim Dibra, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Pas ceremonisë që u zhvillua në mjediset e Bashkisë së Shkodrës, kryeministri Berisha shprehu edhe një herë dhimbjen për ndarjen nga jeta të deputetit Dibra dhe njëherësh i përcolli ngushëllimet familjes dhe qytetarëve të Shkodrës për këtë humbje. “Erdha këtu për të shprehur nderimin më të thellë, respektin më të madh për deputetin Gëzim Dibra, një njeri i mrekullueshëm, i cili me një aktivitet jo të gjatë në politikë, por la tek unë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin përshtypjet, së pari, të një njeriu të mrekullueshëm, të një burri fisnik, të një njeriu të përkushtuar”, tha Berisha. Erdha gjithashtu, vijoi ai, të ndaj zinë me familjen e tij, miqtë dhe qytetin e Shkodrës. “Ata kanë humbur një prind shembullor, një familjar shembullor, Shkodra një qytetar ndër më dinjitozët e fisnikët e saj, një politikan të ndershëm, të përkushtuar, një zë të fuqishëm në Parlamentin Shqiptar. Partia Demokratike ka humbur një veprimtar të saj shumë të çmuar, por bota e biznesit, gjithashtu, ka humbur një simbol të suksesit të vërtetë”, u shpreh Kryeministri. Deputeti Dibra u nda nga jeta dy ditë më parë, për shkak të një sëmundjeje e rëndë. Dibra u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në listën e kandidatëve të Qarkut të Shkodrës. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila ishte e pranishme gjithashtu në ceremoninë e djeshme, vlerësoi se “Gëzim Dibra ishte një koleg i shkëlqyer, një bashkëshort fisnik, një baba jashtëzakonisht i dashur; një njeri i ndershëm, një deputet demokrat shumë i përkushtuar dhe i dedikuar, një deputet me integritet shumë të lartë”.