LSI: Ndryshimet kushtetuese, afera të rrezikshme të Ramës dhe Berishës
LSI-ja vazhdon të kundërshtojë të gjitha ndryshimet kushtetuese. Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar dje se "LSI-ja distancohet prerë nga të gjitha ndryshimet kushtetuese tërësisht të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe të paprecedenta, të paraqitura nga dyshja Rama-Berisha". Sipas Vasilit, këto ndryshime janë thjesht dhe vetëm afera të rrezikshme të dy individëve dhe grupeve që ata përfaqësojnë, që realizohen vetëm në funksion të interesave të ngushta personale dhe politike të Kryeministrit dhe kryetarit të PS-së. "LSI-ja, tha Vasili, vlerëson se thelbi i ndryshimeve të propozuara ka të bëjë me eliminimin real të institucionit të Presidentit të Republikës. Ky institucion që ka demonstruar qëndrueshmëri dhe ka gjeneruar normalitet pas vitit 1997, pra pas largimit të Berishës si President". "Nuk ka qenë Presidenti i Republikës institucioni që ka prodhuar kriza në Shqipëri, por vetëm etja për pushtet e përfitime personale e kryetarëve të partive të vjetra ishte shkaku që ka prodhuar krizat e njëpasnjëshme politike që kanë zhytur vendin në varfëri dhe kanë dëmtuar e vonuar procesin e integrimit të saj", është shprehur sekretari i përgjithshëm i LSI-së. Më tej ai ka theksuar se edhe ky Kuvend është produkt i përçudnuar i Megadushkut, ndaj nuk ka as legjitimitetin, as moralin dhe e ka humbur të drejtën që të ndryshojë Kushtetutën. "LSI-ja në mënyrë të vendosur deklaron se ndryshimet e Kushtetutës lidhur me reformën zgjedhore kërkojnë që të legjitimojnë deformimin e madh të votës dhe vullnetit të shqiptarëve, kërkojnë të instalojnë një dushk të ri edhe më të rrezikshëm dhe me pasoja shumë të rënda për vendin dhe stabilitetin e tij, si dhe kërkojnë të realizojnë vjedhjen e votës në tavolinë nga dyshja Rama-Berisha, të cilët e kanë të qartë se e kanë humbur besimin e elektoratit", është shprehur Vasili. Sipas tij, kjo reformë zgjedhore e propozuar ka si synim kryesor të saj dobësimin dhe zhvlerësimin e parlamentarizmit dhe shndërrimin e Kuvendit në një vegël në duar të dy individëve, duke dërmuar demokracinë dhe duke synuar krijimin e një republike personale diktatoriale të tipit afrikan që shkatërron çdo aspiratë të shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Në lidhje me ndryshimet që priten të bëhen në sallën e Kuvendit sot, Vasili tha se nuk ka për të pasur asnjë surprizë për qëndrimin e LSI-së. Ajo do të jetë e pranishme në institucionin e Kuvendit, ku me të gjithë forcën e saj dhe më shumë se kaq, do të bëjë demaskimin politik, i cili është armë shumë e fuqishme që LSI-ja ka në duart e saj, ndaj këtij kompromisi që po çon vendin në një destabilitet. "Njëkohësisht, - tha ai, - e gjithë Kryesia e LSI-së si dhe i gjithë aparati shumë i madh politik që ajo administron, do të jetë vazhdimisht në terren dhe paralelisht do të vazhdojë demaskimin politik, sepse objektivi ynë është që qytetarëve shqiptarë t‘u japin atë që meritojnë në zgjedhjet e ardhshme.