E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: PD të mos përsërisë skenarin e zgjedhjes së Presidentit

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, deklaron se është përgjegjësi politike e mazhorancës qw të kalojë paketën e ndryshimeve në Kushtetutë. Sipas tij, kjo do tw shërbente për krijimin e klimës pozitive politike. Në një intervistë për "Shqip", ai hedh dritë mbi pikat kyçe të projektligjit që kalon në Kuvend, ashtu sikurse analizon detaje të tjera të reformës kushtetuese.

Zoti Xhafaj, Partia Socialiste paraqiti së fundi në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë propozimesh sa i takon ndryshimit të Kushtetutws. A mendoni se propozimet në fjalë e zgjidhin problemin e proceseve zgjedhore në vend?

Një vështrim i shpejtë në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri do të bindte edhe qytetarin më skeptik dhe më të painteresuar për politikën për një fakt të pandryshueshëm: të nesërmen e shpalljes së rezultateve të votimit, ato janë kontestuar nga pala humbëse, e cila ka gjetur në këtë shkak, arsyen e humbjes së saj. Por nëse kjo alibi do të shërbente vetëm për të ngushëlluar zgjedhësit e zhgënjyer, do të ishim diku tek më pak se gjysma e së keqes, sepse e keqja e vërtetë qëndron në atë se qeverisja deligjitimohet pa nisur ende. Dhe si pasojë, katër vitet e mandatit kanë kaluar po midis këtij deligjitimimi. Mendoni më pas qëndrimin e cilitdo qytetar përballë shtetit, i cili prodhon ligje dhe që ai mendon se mund t‘i shkelë, që nuk respekton policin e administratorin e shtetit e kështu me radhë. Ky është kaosi, i cili ka një emër dhe një autor, vetëm klasën politike shqiptare. Në bindjen e thellë të Partisë Socialiste, si thelb i saj, është edhe fakti i rikthimit të qytetarit te shteti, i rikrijimit të atij besimi të humbur, i mbushjes së atij hendeku zhgënjimi. Krijimi i atij sistemi rregullash e procedurash që do ta delegonin ndershmërisht pushtetin e qytetarit te politika, është padyshim hapi i parë serioz në këtë drejtim. Besoj se të para me këtë sy, përveç besimit tonë, ne mendojmë se afrojmë mekanizmin e duhur. Nuk ka një ligj të mirë zgjedhor dhe një tjetër të keq. Ndryshimi i propozimit tonë me ligjin ekzistues qëndron në faktin që pararendësi ka shtigje të hapura ku mund të kalojë mashtrimi elektoral, dallaverja e vockël ballkanike, pisllëku banal i marrëdhënieve hipokrite mes aleatëve e kështu me radhë. Për të shkuar më tej do të thosha dhe diçka tjetër, duke nënvizuar rëndësinë e implementimit në realitet të ligjit. Besoj se tashmë politika shqiptare ka fituar një pjekuri tjetër, të ardhur sa nga pësimet konstante, po aq edhe nga rekomandimet ndërkombëtare. Të paktën në Partinë Socialiste ky nivel emancipimi është mjaft i dukshëm.

Paralelisht me paketwn e PS-së, Partia Demokratike hodhi për debat një sërë propozimesh të tjera. A pritej ky veprim prej demokratëve dhe a e shihni si momentin e duhur që nëse ka diçka për të ndërhyrë në Kushtetutë të bëhet tani në mënyrë të plotë?

Ditë më parë, kur për herë të parë u njohëm me një projektligj alternativ propozimesh konkrete të Partisë Demokratike që shkonin përtej diskutimit paraprak për ndryshimin e ligjit zgjedhor, besova se fjala më e përshtatshme për t‘u përdorur ishte pabesi politike. Duke i qëndruar swrish këtij termi, më duhet të pranoj (megjithëse jo me shumë dëshirë) se në fund të fundit, edhe kjo lëvizje ishte pjesë e një loje politike. Shumë shpejt në këtë lojë hynë të gjithë personazhet më të rëndësishëm të mazhorancës, nga Presidenti (ai çuditërisht vazhdon ende të jetë një pjesë integrale e saj), te Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit. Në përfundim u tha se projektligji ishte punë e relatores së PD-së !!. Si jurist do të kisha objeksionet e mia për procedurën dhe shpejtësinë me të cilën janë paraqitur propozimet. Si politikan dhe përfaqësues i vendimmarrjes politike të PS-së do të thosha se përpiqem ta shoh këtë veprim si një lëvizje taktike të mazhorancës e cila në vlerësimin tim do të duhej të kishte ofruar në një marrëdhënie bipartizane një projekt më të unifikuar, qoftë edhe brenda vetes. Pavarësisht kësaj, ne tashmë kemi një projekt përfundimtar amendimesh kushtetuese, si një paketë tërësore të unifikuar, të miratuar pothuajse konsensualisht në Komisionin Kuvendor të Ligjeve. Zhvillimet e këtij procesi e bëjnë tërësisht përgjegjëse maxhorancën dhe lidershipin e saj politik për ta çuar deri në fund këtë inisiativë. Në të kundërt do të provohej edhe njëherë skenari "konsesual" i procesit për zgjedhjen e presidentit. Kjo nga njëra anë do të tregonte shumë negativisht lidershipin politik të PD-së duke i cilësuar në rastin më të mirë të paaftë për të ndërtuar një frymë dialogu e konsensusi në politikë. Nga ana tjetër kjo do ti jepte fund përfundimisht procesit të reformave bipartizane në vend. Uroj dhe shpresoj sinqerisht që në seancën plenare të së hënës të kemi mundësinë të shohim një moment tjetër përgjegjshmërie politike e institucionale të klasës sonë politike. Nuk dua të hyj në detaje për propozimet e PD-së, por mund t´ju siguroj se në Partinë Socialiste lidhur me draftin e propozuar janë zhvilluar një sërë konsultash intesive me aktorët më të njohur të vendit e të huaj në rrafshin konstitucional. Në Partinë Socialiste ka një vrull e ritëm pune në këtë pikë që do të kisha dashur ta kishte dhe vetë maxhoranca, e cila veç të tjerash do të mbahet mend dhe për morinë e pafundme të ligjeve antikushtetues që ka votuar në këto tre vjet të mandatit të saj.

Partia Socialiste më parë është shprehur për kalimin e KQZ-së në institucion të përkohshëm dhe jo permanent. Një propozim i tillë është parashikuar tani edhe prej demokratëve. Si mund të funksinoje kjo skemë e re dhe a do kërkonte një riformatim të anëtarëve të KQZ-së?

E dini që sot në aparatin e KQZ-së ka më shumë punonjës sesa kishte Këshilli i Ministrave në vitin 1996 kur pushtetin e kishin sërish demokratët? Ky institucion u përfshi dhjetë vjet më parë në kushtetutë me synimin për të krijuar një trupë permanente, mundësisht sa më të shmangur nga varësitë politike, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ne e studiuam me kujdes këtë propozim të PD-së dhe na rezultoj si një propozim racional. Në praktikën ndërkombëtare ka modele të cilët mund të jenë fare mirë të përputhshëm me realitetin shqiptar.

Një e veçantë e propozimeve të PD-së ishte ajo që kishte të bënte me kompetencat mes Presidentit dhe Kryeministrit. Flitet për rastet e kundërfirmimit të dekreteve, ndryshim i nenit 93 të kushtetutes. A do ishte i nevojshëm një element i tillë?

Duke e konsideruar të rëndësishme nevojën për të qenë i ndershëm me të vërtetën më duhet të theksoj se kundërfirmimi nuk është një praktikë e panjohur në shumë kushtetuta të vendeve të tjera demokratike. Në debatin e zhvilluar lidhur me këtë çështje kundërfirmimi i dekreteve të Presidentit të Republikës si praktikë e re kushtetuese u trajtua si një veprim që në thelb sjell as më pak dhe as më shumë por "kufizimin" e kompetencave presidenciale. Kjo risi, e shoqëruar dhe me propozimet e tjera që kanë të bëjnë me procedurën e zgjedhjes së tij u trajtua si zhvleftësim i rolit të presidentit duke e konsideruar juridikisht, një dekret të pakundërfirmuar si një dekret të rrëzuar. Në frymën e kushtetutës, presidenti shqiptar është i modelit të presidentit të fortë, ai ka disa funksione bazë: të zgjidhësit të konflikteve, të negociatorit mes palëve, të kryenoterit të shtetit dhe kryesorja të vendimmarrjes të rëndësishme e përcaktuese lidhur më sistemin e drejtësisë. Fatkeqësisht në Shqipëri, sidomos në fushën e shkrimit të ligjeve, përgjithësisht konsumohet një gabim i madh, të cilin unë e konsideroj si një nga mëkatet më të ndjeshme të klasës politike. Domethënë, shihet në momentin e dhënë që President i Republikës është Bamir Topi dhe meqënëse "ashtu janë ca punë", merret një gërshërë dhe i qethen si bagëtisë ca kompetenca. Nëse, fjala vjen, zoti Berisha nuk do të kishte hequr dorë përjetësisht nga ideja e të ribërit të vetes president, siç thotë dhe vetë, atëherë, kompetencat do të ishin shartuar me shtesa të pafundme. Jam ndjerë sinqerisht keq kur në shumë debate parlamentare, debati katandisej në "pro" apo "kundër" Presidentit. Thua se ndryshimet kushtetuese ishin për mandatin e Bamirit President apo Saliut Kryeministër. Kjo bëri që në më të shumtën e rasteve debatet kushtetuese, si domos ato lidhur me nenet 87, 104 e 105 u personalizuan në portrete individësh. Tërësisht absurde. Në këtë grackë kam përshtypjen se ra dhe e nxiti më tej edhe vet zoti Topi. Kundërshtimi i tij nuk ishte ai i një Presidenti, garant i kushtetutës dhe përfaqësues i unitetit të popullit, por ishte reagimi i Bamirit që mendon se se i po i ngushtojnë përmasat e zyrës. Reagimi dhe veprimet e Presidentit provuan se ai ende mban të veshur kostumin partiak dhe për më shumë veprimet e tij vijnë haptas në kundërshtim me rolin dhe funksionin e tij kushtetues. Personalisht nisur edhe nga zhvillimet e fundit mendoj se vendi ynë i vogël me modelin e republikës parlamentare i ka luks pushtetet e zgjeruara me kompetenca konkuruese që shpërndajnë përgjegjësinë politike dhe për më tepër mbajnë gjallë frymën konfliktuale institucionale në vend, traditë së cilës duhet ti shpëtojmë sa më shpejt të jetë e mundur.

Si e konsideroni qëndrimin e partive aleate të Partise Socialiste sa i takon reformës zgjedhore dhe çarjen që po vihet re në këtë grupim forcash politike?

Ndryshimi i sistemit zgjedhor është jo vetëm një evolucion, por mendoj se në disa aspekte është një revolucion që do të trondisë pozitivisht klasën politike në Shqipëri. Pavarësisht shpresave që kemi ushqyer të gjithë se një gjë të tillë mund ta bënte dikush si Mesia, siç e bënë Di Pietrot në Itali, pastrimi i klasës politike nga individë që nuk kanë të bëjnë me politikën, por e kanë deformuar atë, ka një shans shumë të mirë të realizohet me ndryshimin e rregullave të lojës. Deri më sot, në asnjë rast partitë politike nuk kanë demonstruar nivelin dhe peshën e tyre në elektorat. Nesër ka gjasa ta bëjnë. Kundërshtitë e një pjese të opozitës e lidh kryesisht me keqkuptime politike dhe me ngatërresa të llogarive aritmetikore. Nëse ndokush mbetet jashtë, këtë nuk e bën ligji, e bën vetëm vullneti i votuesit. Një projeksion i modelit amerikan apo britanik, besoj se do të ishte më i mirë se "modeli elektoral italian" i politikës në Tiranë.

Pak ditë më parë zoti Rama ashtu sikurse zoti Berisha u deklaruan për një reformë në institucionet e sigurisë kombëtare. Kreu i PS propozoi edhe rishikim të rolit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. A do ketë PS një platformë të plotë me të cilën të paraqitet në Kuvend për këtë çështje dhe ku mund të përqëndrohet tjetër?

Po të shihni me vëmendje të gjitha lëvizjet e Partisë Socialiste ato përfundojnë në një emërues të përbashkët: në përgatitjen për rikthimin e saj në pushtet. Por ndryshe, absolutisht ndryshe nga të gjitha rotacionet e mëparshme në pushtet, në filozofinë tonë nuk mbaron këtu detyrimi ynë politik, këtu fillon beteja e madhe për të shërbyer qytetarin. Shihni inisiativat më të rëndësishme politike të kohëve të fundit. Shpesh PS po sillet si parti në pushtet duke inicuar reforma të rëndësisë të dorës së parë dhe ka mbajtur krejtësisht në dorë inisiativën në këto procese. Ne jemi të "dënuar" të shpëtojmë vendin nga qeverisja e paaftë dhe tërësisht e korruptuar e zotit Berisha. Mjafton të kujtojmë atë çka nuk mund të harrohet, tragjedinë e Gërdecit, dhe të kemi idenë se shteti shqiptar dështoi absolutisht në të gjitha hallkat e tij. Zoti Berisha, ashtu si agallarët e vegjël të djeshëm nëpër skërka, bredh nga ekrani në ekran për të treguar padijeninë e tij, kur ai paguhet nga shqiptarët pikërisht për të ditur. Por për fatin e keq të shqiptarëve ai është i paaftë. Është në fatin tonë, në detyrën tonë, në misionin tonë, që edhe pse tani jemi në opozitë, t´i tregojmë atij në të gjitha mënyrat sesi të paktën duhet t´i kursejë më tej vuajtjet shqiptarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›