E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e re është sjellje e re me qytetarët

Në fundjavë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë në rrugëtimin "Dialog me Shqipërinë" në fshatin Rrajcë. Aty, Rama ka shprehur bindjen se politika nuk duhet të diferencojë vëmendjen ndaj shtetasve të saj, pavarësisht se ku jetojnë në qytet apo fshat, pavarësisht distancës së tyre me kryeqytetin. Po në këtë mënyrë duhet të zhvillohen edhe politikat për rikthimin e punës në fshat. Rama ka nënvizuar se programi i ri i socialistëve do të ketë si një ndër prioritetet e tij rikthimin e punës në tokat djerrë sot të fshatit. "Politika e re është një sjellje e re me qytetarët, e cila në fund të fundit është një përqasje ndryshe ndaj njerëzve, është vetëdija se politika është për njerëzit, është me njerëzit dhe se nuk ka një politikë të vlefshme, një politikë të frytshme jashtë marrëdhënies së drejtpërdrejtë me njerëzit. Politika e re është bindja se në rast se ne duam t‘i ndryshojmë gjërat, në rast se ne duam t‘u japim fund shumë prej atyre problemeve që na lëndojnë prej vitesh, në rast se ne duam të hapim një rrugë të re për Shqipërinë për qytetet dhe fshatrat tona, për komunitetet dhe fëmijët tanë", është shprehur Rama. Më pas, kryetari i PSSH dhe deputetët që e shoqëronin, kanë vazhduar rrugëtimin drejt qytetit të Përrenjasit, ku janë takuar me banorët e tij. Në këtë qytet, i cili jeton kryesisht me të ardhura nga emigracioni, shefi i socialistëve u shpreh për ndryshimin rrënjësor të këtij realiteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›