E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Numërimi elektronik, në rrezik për efekt kohe

Ylli Manjani / Foto arkiv

LSI e cilëson si të pamjaftueshme kohën për përgatitjen e procesit zgjedhor dhe aplikimin e numërimit elektronik të votave. Në një konferencë për shtyp, Ylli Manjani deklaroi se LSI mbështet konsensusin e arritur deri tani në komisionin e reformës zgjedhore, por mbetet skeptike për kohën e pamjaftueshme.

LSI e ka mbështetur qartësisht idenë e numërimit elektronik të votave në zgjedhjet e ardhshme për përmirësimin e tyre. Po kemi një skepticizëm për arsye objektive. Ne vlerësojmë se janë 14 muaj deri në ditën e zgjedhjeve të ardhshme, ku duhet të përgatisim procesin zgjedhor. Temat për tu diskutuar janë ende shumë dhe koha është e pamjaftueshme. Ne presim që në ditët në vijm, politika të konsumojë shumë kohë e energji për tema të rëndësishme të reformës zgjedhore. Për të zbatuar vendimin e marrë me konsensus, d.m.th. numërimin elektronik, dalim në përfundimin se ai mund të jetë në rrezik për efekt kohe. Jemi skeptikë. Mund të kalojmë nga një proces superkonsensual në një proces bllokues, tha Manjani.

Në lidhje me shqetësimet e ngritura prej saj, LSI-ja i ka propozuar komisionit dy masa: përdorjen në mënyrë pilote të procedurës e numërimit elektronik të votave dhe shtimin e numrit të KZAZ-ve.

Futja e një risie kërkon kohë dhe duhet të testohet fillimisht e pastaj të përdoret në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të bëhet një studim sesa kushton ky proces, si do të përdoret, ku do të përdoret. Është fjalë që të ndërtohet një grup njerëzish për përdorimin e këtyre aparaturave, për të ndërtuar një sistem. Këto janë procese teknike që kërkojnë kohë dhe kjo kohë është e pamjaftueshme. Kemi propozuar shtimin e numrit të KZAZ-ve, që do të thotë rritje e shpejtësisë së nxjerrjes së rezultatit. Në këtë mënyrë mbrohet procesi zgjedhor i ardhshëm, tha Manjani. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›