E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: PS, sulme të papërgjegjshme. PS: Qeveria asfikson ekonominë

Lëvizja Socialiste për Integrim i sugjeron Partisë Socialistë t'i drejtohet organeve të specializuar të hetimit për akuzat e saj për praninë e mafias italiane, ruse dhe izraelite në ekonominë shqiptare. Nëkryetari Petrit Vasili, komentoi deklaratën e një dite më parë të deputetit Erjon Brace, mbi raportin e SHISH për këtë vit.

"Deklarata të tilla, të një peshe dhe rëndësie të tillë nuk kanë vendin më për tu bërë në publik. Ato duhet tu referohen institucioneve përkatëse, të cilat merren ekskluzivisht me luftën ndaj fenomeneve te tilla. Aq më tepër që koha e deklaratave të tilla kaq të rëndësishme, gjithmonë duke pasur parasysh objektivitetin ose jo të tyre, duhet tu vihen në dispozicion atyre që kanë autoritetin ligjor dhe kushtetues për tu marrë me to", tha Petrit Vasili.

Nga ana tjetër selia rozë, nëpërmjet sekretarit Ekonomik Ervin Bushati, vazhdon të këmbëngulë se qeveria po asfikson ekonominë. "Shteti sot e ka mbyllur kapitalin ekonomik të Shqipërisë në një zinxhir borxhesh, ndërkohë që mban peng biznesin, sipërmarrjen dhe kapitalin brenda vendit. Fonde publike të shpërdoruara vjet dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga qeveria që kemi sot, na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar",tha Ervin Bushati, sekretari i Këshillit Ekonomik në PS.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›