E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Politika të bëjë kujdes me deklaratat që nxisin dhunën



Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj për ngjarjen e rëndë të ekzekutimit të kreut të PDK-së së Malësisë së Madhe. “Shprehim keqardhjen tonë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe, Aleks Keka, i cili humbi jetën sot në mëngjes si pasojë e shpërthimit të automjetit të tij në rrethana ende të paqarta. Shpresojmë që kjo ngjarje e rëndë të mos ketë ndodhur për motive politike dhe u kërkojmë organeve kompetente zbardhjen e menjëhershme të rrethanave në të cilat ndodhi kjo ngjarje tragjike. Marrim shkas nga kjo ngjarje për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjitha forcave politike të tregojnë kujdes dhe maturi në fjalorin që përdorin gjatë takimeve elektorale, të ruajnë etikën e komunikimit dhe të zhvillojnë një fushatë sa më të civilizuar. LSI-ja shpreh bindjen e saj se subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre kanë një përgjegjësi të veçantë për të siguruar një klimë sa më të qetë elektorale dhe për të evituar çdo deklaratë apo akt të dhunshëm që çon në tensionimin e situatës parazgjedhore. Vetëm kështu mund të garantojmë zgjedhje të ndershme e të lira dhe t’u afrohemi standardeve bashkëkohore europiane”, - është shprehur nëpërmjet një deklarate të posaçme për shtyp kjo forcë politike.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›