E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Pro referendumit, por të shfrytëzohen shanset

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, tha se LSI është pro referendumit sepse qytetarët janë ata që vendosin, por nënvizoi se ekzistojnë mundësitë që klasa politike ti japë vetes edhe një shans, pasi është drejtpërdrejtë kontribut për interesat e vendit dhe se imuniteti nuk mund të jetë një çështje e interesave partiake.

 "Është koha për të reflektuar. LSI edhe një herë i fton palët, sidomos deputetët e PS, të reflektojnë me shumë përgjegjshmëri, me ndjenja atdhetarie, të kushtëzuar prej interesave të vendit që të shkojmë tek konsensusi i nevojshëm", tha Luan Rama . Ai tha se "Lëvizja Socialiste për Integrim, që prej marrëveshjes së nëntorit, ka insistuar dhe këmbëngulur që palët të shkojnë te një zgjidhje konsensuale, pasi fryma e konsensusit, e lidhur ngushtë me angazhimet e mëdha që lidhen me procesin e integrimit, është ajo që duhet të bëjë politika”.

 Për Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, "konsensusi është ajo çfarë i duhet politikës dhe LSI ka kontribuar që një klimë e tillë të mund të mbizotërojë në zhvillimet politike. Seanca e 6 gushtit ishte një kohë e humbur për vendin, ndaj tashmë më shumë se kurrë është koha për të reflektuar për imunitetin, pasi ka ende mundësi për reflektim. LSI është pro idesë së referendumit". 

"Seanca e djeshme është një shans i humbur dhe një kohë e humbur, sepse sot ne do ishim ndryshe përballë opinionit vendas dhe partnerëve ndërkombëtare, ndërsa do ishim më konkretë në angazhimet tona për të përmbushur këto përgjegjësi dhe detyrime. LSI fton palët dhe veçanërisht deputetët e Partisë Socialiste të reflektojnë me përgjegjësi në mënyrë që të gjejmë kohën dhe mundësinë për të shkuar te konsensusi i nevojshëm edhe te votimi i këtyre ndryshimeve, pasi kufizimi i imunitetit është dëshmi reale e palëve për plotësimin e kushteve për integrimin në BE", u shpreh Rama. /Start/

                                                                                             2012-08-07 14:52
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›