LSI: Protesta popullore dhe ankesë në Kushtetuese
Meta e bëri deklaratën në Elbasan, ku ndodhej në një takim të Komisionit parlamentar të Integrimit, ku merrte pjesë edhe ambasadori i OSBE, Bosch. Ky i fundit përshëndeti një ditë më parë ndryshimet dhe tha se janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Protestat mbarëpopullore do të jenë kundër dhunimit të Kushtetutës, të ideuara nga Sali-Rama, pasi 115 vota nuk mund të dhunojnë vullnetin e 2 milionë shqiptarëve. Protestat do të jenë kundër regjimit berishian dhe puçit Berisha-Rama.
Ndërkohë, LSI ka nisur takimet me ekspertë të Kushtetutës për rrugët ligjore kundër puçit kushtetues. Gjatë këtyre takimeve është hedhur ideja dhe po diskutohet edhe për një referendum të mundshëm. Krahas lëvizjeve të mësipërme, LSI do të nisë shumë shpejt një tur ndërkombëtar për të denoncuar puçin Berisha-Rama kundër Kushtetutës”, - tha Meta.
Ndërkaq, dje, edhe Neritan Ceka është shprehur pro protestave mbarëpopullore. Nga qyteti i Vlorës, Ceka ka deklaruar se protestat mbarëpopullore do të jenë kundër dhunuesve të Kushtetutës. Ceka tha se Berisha duhet të japë dorëheqje për Gërdecin dhe se Rama nuk mund të shpëtojë dot Saliun.