E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: Kreditimi i bujqësisë në Shqipëri, në nivele shumë të ulëta

Ekspertët e bujqësisë vendas dhe të huaj kanë kërkuar rritje të kreditimit në sektorin bujqësor dje, gjatë një seminari të zhvilluar në Durrës, lidhur me financimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Drejtori i Misionit të Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), Eduard Landau, tha se, kreditimi për bujqësinë duhet të rritet patjetër, në mënyrë që ky sektor të mund të zhvillohet. Sipas tij, aktualisht kreditimi për bujqësinë në Shqipëri është tepër i ulët dhe arrin në 5 për qind të kreditimit total për ekonominë. Megjithatë, sipas tij, subvencionimi i kredive është i lehtë për t’u bërë, por kur fillon është e pamundur të ndërpritet dhe nuk mund të çojë në krijimin e një burimi të qëndrueshëm e të përshtatshëm për kreditim me terma afatgjatë. Sipas tij, sektori i bujqësisë duhet të shndërrohet në një sektor konkurrues në një ekonomi globale, për të mundësuar marrjen e më shumë kredive për fermerët. “Programet aktuale dhe ato të kaluara të USAID-it, si PSHM, ato me Bankën Tregtare dhe Reiffaissen, etj., kanë dëshmuar se aktivitetet e kreditimit të bazuara në interesat e tregut mund të jenë të suksesshme, qoftë në sektorët jobujqësorë dhe në ata bujqësorë”, - tha Landau. Gjithashtu, zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, shprehu nevojën e rritjes së financimit në bujqësi, duke e konsideruar të rëndësishëm investimin në këtë sektor, në kushtet e një krize ushqimore të paraqitur në tregjet ndërkombëtare. Fasllia u shpreh se, vitin e ardhshëm, qeveria shqiptare ka parashikuar dyfishimin e financimit për bujqësinë deri në vlerën 20 milionë euro. Fasllia tha se, strategjitë 7-vjeçare të përgatitura për zhvillimin e bujqësisë kërkojnë vëmendje dhe financime më të mëdha në këtë sektor. Ai tha se, tashmë po zbatohen disa projekte në bashkëpunim me Bankën Botërore, Bankën Europiane dhe Kooperimin Italian, të cilat përfundojnë në vitin 2009. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë ka nisur përgatitjet për një marrëveshje prej 100 milionë USD me Bankën Botërore, e cila synon rikonstruksionin e digave të rezervuareve, ndërsa një program tjetër me vlerë të përgjithshme 8 milionë euro do të zbatohet në fusha të tjera të bujqësisë. Në diskutimet e tyre, ekspertët vendas dhe të huaj përsëritën kërkesat e tyre drejtuar bankave të nivelit të dytë dhe organizmave të tjerë financiarë jobankarë për mbështetje më të madhe financiare, për të rritur prodhimin nga bimët e arave dhe prodhimet e serave, pemët frutore dhe ullirin, blegtorinë dhe industrinë agropërpunuese. Sipas tyre, një rritje e tillë e kreditimit për këtë sektor do të ishte e rëndësishme për ekonominë në vend, si dhe për zhvillimin e këtij sektori, në një kohë kur tregu ka nevojë për shtimin e produkteve bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›