E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Punësim i jetimëve

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim, në një prej qendrave të jetimëve, të cilët jetojnë në kushte tepër të rënduara pranë Shkollës së Hoteleri-Turizëm në Tiranë. “Natyrisht që jemi këtu për t’u angazhuar, për të realizuar një integrim sa më dinjitoz të gjithë jetimëve të Shqipërisë, në gjithë proceset e zhvillimit të vendit dhe integrimit të shqiptarëve dhe njëkohësisht edhe të vendit në Evropë. Në themel të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm, pasi është e tmerrshme të shikosh që njerëz që kanë qenë jetim që të vegjël, të cilët edhe pasi kanë mbaruar shkollën e mesme ndihen jo vetëm jetimë, por edhe të papunë, të paintegruar, të braktisur.”-theksoi Meta për gazetarët e pranishëm.

Kryetari i Shoqatës së Jetimëve z.Kadri Aliaj, por edhe jetimët që jetonin në kushte tepër të vështira në konviktin e shkollës së Hoteleri-Turizmit, ku në një dhomë të vetme jetonte një familje me dy fëmijë të vegjël, falënderuan z.Meta, pasi ai është i vetmi politikan që po ju kushton vëmendje. Vetë jetimët shprehën shqetësimin që nuk kishin punë dhe se nuk arrinin të siguronin as të ardhura minimale për të jetuar. Njëkohësisht ata u shprehën se kishin 4 ditë që nuk kishin drita fare, sikurse edhe uji mungonte herë pas here.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›