E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Qeveria Berisha ka dështuar me shëndetësinë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka dështuar me sistemin e shëndetësisë në vend. Vasili u ka premtuar mbështetje mjekëve. 

TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar qeverinë se ka dështuar me sistemin e shëndetësisë. Nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm Petrit Vasili, LSI shprehet se “shëndetësia shqiptare vazhdon të thellohet në qorrsokakun në të cilin e futi papërgjegjshmëria e kryeministrit”. Vasili akuzon kryeministrin Berisha se nuk e ka parë sektorin e shëndetësisë si një sektor jetik, por si një pjesë nga torta qeveritare që mund të shërbejë vetëm për të mbyllur vrimat e krizave qeveritare.
“Qeveria e Berishës e drejtuar për herë të parë në historinë e Shqipërisë nga një mjek, ka dështuar si asnjë qeveri tjetër me shëndetësinë. Në mënyrë thellësisht të papërgjegjshme, kjo qeveri ka folur vazhdimisht për shëndetësinë si prioritet të saj, por në vend të saj dështimi dhe mosbesimi i thellë i qytetarëve ndaj saj, kanë qenë arritjet e saj më të mëdha”, tha Vasili.
Sipas tij vendimet e pakonsultuara me mjekët me eksperiencë dhe përjashtimi i tyre nga këto vendimmarrje i ka bërë ata pre e drejtuesve politikë duke shkaktuar mosbesim të personelit mjekësor. “Kriza e pazgjidhshme e barnave, si krizë që u thellua vit pas viti, arriti në nivelin skandaloz aktual, duke rënduar keqaz pozicionin e Berishës, mjek e njëherazi edhe kryeministër që drejton sot qeverinë”, tha Petrit Vasili.
Në emër të LSI, Vasili Përfundoi deklaratën e tij duke thënë se “Ne jemi këtu që pa u lodhur dhe me përgjegjësi politike dhe profesionale të denoncojmë situatën që rëndohet çdo ditë. T’u tregojmë të gjithë mjekëve dhe infermierëve se për ne shëndetësia është prioritet i vërtetë. T’i bëjmë ata të kuptojnë se tek ne do të gjejnë partnerë të tyre të vërtete. Të ringjallim besimin e qytetarëve se nesër në pushtet do të ndërtojmë një mjekësi shumë më të mirë se kjo e sotmja si dhe do të ofrojmë edhe zgjidhjet përkatëse në të mira për qytetarët shqiptarë”.
(a.s/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›