E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meçe: Presidenti të zgjidhet me 84 vota

Presidenti aktual Bamir Topi ka ende disa muaj për të ushtruar detyrën e tij kushtetuese, por tanimë debati mbi kreun e ri të shtetit vazhdon të ngjallë interes publik. Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçe, mbështet idenë e hedhur nga ekspertët e Partisë Socialiste për rivendosjen e konceptit të një Presidenti konsensual. Në vlerësimin e juristes Meçe, fryma e Kushtetutës shqiptare parashikon një President mbi palët dhe në përputhje me këtë fryme, si dhe për të ruajtur pavarësinë e sistemit te drejtësisë, duhet që kreu i shtetit të zgjidhet me 84 vota. Në intervistën për “Vizion Plus”, Meçe nënvizon nevojën e një reforme kushtetuese, por për shkak se zgjedhja e Presidentit është vetëm pas një viti, sipas saj, është e justifikuar ndërhyrja vetëm për ndryshimin e nenit 87, që parasheh këtë procedurë. Me konsensusin e gjerë të Partisë Demokratike (në qeverisje) dhe Partisë Socialiste (në opozitë) tanimë Kushtetuta e re parashikon se, kur kreu i shtetit nuk arrihet të zgjidhet me 3/5 e votave në tre votimet e para, ai kalon me zgjedhje përmes shumicës së thjeshtë në të katërtin. Kushtetuta e mëparshme parashikonte se kreu i shtetit, si titullari më i lartë, do duhet të garantonte numrin minimal prej 3/5 e votave. Nëse diçka e tillë nuk ndodhte në pesë votime të parashikuara, atëherë kalohej drejt shpërndarjes së Parlamentit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Kushtetuta aktuale i jep mundësinë mazhorancës së drejtuar nga Partia Demokratike që ta zgjedhë vetë Presidentin pa patur nevojën e votave të opozitës dhe konsensusin e saj. Përveç rikthimit te Presidenti konsensual, javët e fundit është përfolur gjithnjë e më shumë ideja e zgjedhjes së kreut të shtetit përmes votës popullore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›