E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori me dy datëlindje "refuzon" pensionin

Drejtori i Poliklinikës Qendrore në Tiranë, Përparim Neziri, ka mbushur moshën e pensionit tre vjet më parë, por ai ende është në mardhënie pune. Në bazë të një vendimi të gjykatës së Tropojës, të 1998, Neziri ka korrigjuar moshën, duke e rritur me 10 vjet. Pra datëlindja e tij, me këtë vendim gjykate nga 24 mars 1950 është bërë 24 mars 1940. Ai sot është 68 vjeç e tri javë. Duke qenë se në Shqipëri ligji parashikon që mosha e daljes në pension është 65 vjet, drejtori i Poliklinikës Qendrore në Tiranë duhej të kishte dalë tre vjet më parë në pension. Me vendimin e gjykatës takuam Drejtorin e Autoritetit Rajonal Shëndetësor, Mhill Gecaj. E pyetëm se përse Përparim Neziri, drejtori i ambulancës së madhe, vazhdon punën kur duhet të kishte dalë në pension, pasi ka mbushur moshën 68 vjeç. Sipas drejtorit të ASHR-së, në dosjen e Nezirit, që ndodhet pranë drejtorisë së burimeve njerëzore të institucionit, rezulton se ai nuk e ka mbushur moshën e daljes në pension. Drejtori Gecaj na vuri në dispozicion dokumentacionin dhe na bëri edhe një sugjerim. Në bazë të certifikatës së lindjes, që drejtori i Poliklinikës Qendrore ka dorëzuar në ASHR dhe diplomës së universitetit, të llogarisim moshën e tij. Në fotokopjen e diplomës thuhet se Neziri hyri në fakultet në vitin 1968 (duke qenë se viti i parë zakonisht fillon 18 vjeç: 1968-18=1950). Libreza e punës thotë: Datëlindja 1950, lëshuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Tropojë, fiks një vit më parë, më 16 prill 2007. Pra mes dokumentave që Neziri ka dorëzuar në ASHR nuk figuron vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tropojës, me të cilin ka rritur moshën e tij 10 vjet. Pyetjes se çfarë do bëhet me këtë rast Mëhilli iu përgjigj, duke treguar vendimin e Këshillit të Ministrave të janarit 2007. Sipas tij, janë vetë qendrat shëndetësore që marrin vendimet për marrjen në punë, largimin nga puna, daljen në pension. Pra këtë të drejtë e ka vetë drejtori. Ai që ka dy mosha, një 58 e një 68 vjeç dhe i përdor si të dojë. Ai ka në dorë të vendosë edhe për vete se kur duhet të dalë në pension. Drejtori i ASHR-së, na premtoi se nëse vërtetohet se personi ka mbushur moshën për pension, institucioni do të veprojë konform rregullave, sipas ligjit të sigurimeve shoqërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›