Diplomat Bachelor, PS kritika Berishës
Partia Socialiste i ka bërë thirrje dje Kryeministrit Sali Berisha të marrë masa për punësimin e të rinjve që mbarojnë shkollën e lartë sipas sistemit të Bolonjës. Reagimi vjen dy muaj para përfundimit të vitit akademik, kur qindra të rinj mbarojnë studimet Bachelor. Ledi Shamku, kryetare e Komisionit të Edukimit në PS, tha në një deklaratë për mediat se "i kërkojmë Berishës të ndërmarrë menjëherë një ndërhyrje energjike për të stabilizuar së paku aspektin burokratik të sistemit tonë arsimor, tashmë krejtësisht në krizë". Pas një muaji, nga auditorët e fakulteteve do të dalë brezi i parë i diplomave Bachelor, tre-vjeçare. Përballë këtij realiteti të ri, PS-ja shtron pyetjen nëse ka treg pune të profilizuar në Shqipëri për këtë nivel kualifikimi që po marrin studentët. Ndërsa shton se asnjë akt nënligjor, apo udhëzim nuk e ka përcaktuar këtë treg pune. Po sipas Shamkut, pedagogët e të gjitha fakulteteve janë më se të shqetësuar, pasi ende nuk dinë se çfarë titulli kualifikimi do t‘u shënojnë në diplomë këtij numri të madh studentësh. E për sa u përket studentëve, Shamku shprehet se "ata që do të marrin diplomat e nivelit të parë janë krejt në ajër. Atyre nuk u është bërë me dije pagesa për diplomën e nivelit të dytë apo për masterin". Partia Socialiste shpreh qëndrimin e saj se gjithë kjo gjendje turbullire është krijuar nga paaftësia dhe nguti politik i Ministrisë së Arsimit për të bërë reforma të minutës së fundit. Karta e Bolonjës parashikon që sistemi i shkollimit të jetë 3+2 vjet apo 4+1. Diploma e nivelit të parë (3-vjeçar) është e nivelit teknik, ndërkohë që masteri është i domosdoshëm për specialitetin e fushës së studimit. Sipas profesorëve të UT-së që kanë hartuar kurrikulat e reja, në bazë të këtij cikli, me diplomën Bachelor, studenti nuk del as mësues. Për të marrë këtë titull duhet të mbarojë masterin dyvjeçar. Ndërkohë që ky master dyvjeçar mund të ndiqet edhe për profile të tjera, që janë hartuar për herë të parë këtë vit nëpër katedra. Duke marrë një shembull nga Fakulteti i Histori-Filologjisë mësojmë se ata që mbarojnë këtë vit trevjeçaren për Gjeografi, në tetor mund të ndjekin masterin për Mësuesi, Turizëm etj. Sistemi i Bolonjës është zbatuar si projekt-pilot prej disa vitesh, por këtë vit akademik ka hyrë në gjithë fakultetet, pasi është i parashikuar në ligjin e ri të arsimit të lartë, miratuar vitin që kaloi.