LSI: Të rikrijohen rezervat shtetërore
Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur idenë e rikrijimit të rezervave shtetërore, si një mundësi e mirë për të përballuar krizën e çmimeve. Sekretari për Bujqësinë dhe Mjedisin i LSI-së, Edmond Panariti, në një konferencë për shtyp, duke iu referuar rritjes së shpejt të çmimeve për produktet jetësore tha se, qeveria nuk mund të qëndroj indiferente. “Qeveria nuk mund të jetë pasive dhe indiferente ndaj rritjes së çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë, sepse kjo do të rëndonte akoma më shumë gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve, por do të binte ndesh edhe me objektivin strategjik të reduktimit dhe zhdukjes së varfërisë në vend”, - tha Panariti. Ai shprehu domosdoshmërinë e krijimit të rezervave shtetërore. “LSI-ja i kërkon qeverisë të aktivizojë sa më parë rezervat shtetërore për prodhimet ushqimore bazë, për të mundësuar rolin balancues të shtetit në treg në momente krizash, rritjesh të çmimeve apo të katastrofave. Rezervat shtetërore për prodhimet bujqësore bazë të kombinuar me masat emergjente të uljes së kostos së prodhimit të bukës dhe prodhimeve të tjera bazë si heqja e përkohshme e TVSH-së për grurin apo dhe akordimi i çmimeve të favorshme për energjinë elektrike dhe karburantin për prodhuesit, do të lejonte kapërcimin e krizës”, - tha Panariti.
11 Shkurt 2008