PDR-ja kërkon lehtësim taksash për importin e grurit
Partia Demokrate e Re ka reaguar dje në lidhje me situatën më të fundit të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendas. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PDR shprehet se, “rritja e përnjëhershme e çmimit të bukës përbën një shqetësim për të tërë ne, për tërë konsumatorët e sidomos për shtresat më të varfra. Ajo mund të jetë influencuar nga situata e drithërave në tregun botëror; këto situata ndodhin në mënyrë periodike dhe shkaktojnë pasoja jo vetëm në Shqipëri. Është momenti për të marrë masa që të lehtësohet situata deri në korrjet e drithërave në mes të këtij viti”. Përveç financimit të akcizës së naftës, PDR mendon që duhet shqyrtuar me urgjencë heqja e taksës së importit të grurit, si dhe pezullimi i përkohshëm i TVSH-së për grurin dhe nënproduktet e tij, deri tek buka si masë për të trajtuar një situatë emergjente. Gjithashtu PDR-ë kërkon ndërhyrje energjike nga Autoriteti i Konkurrencës në rast se verifikohet formimi i kartelit tek importuesit dhe bluajtësit e mëdhenj.
11 Shkurt 2008