Ministria e Bujqësisë, “në sitë” të gjitha fabrikat e miellit
Qeveria, e gatshme të heqë TVSH-në për çmimin e bukës. Prodhuesit dhe tregtuesit ndahen në dy pjesë, duke zbuluar spekulimin me çmimin
Ervin Koçi
Spekulimi me çmimin e bukës ka mbetur zbuluar tashmë, duke bërë që tregtarët dhe prodhuesit të ndahen në dy grupe, në një kohë që qeveria ka nisur nga gjobat. Pas zhurmës së ditëve të fundit Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka nisur tashmë në bashkëpunim dhe me Autoritetin e Konkurrencës, procesin e kontrollit intensiv në shkallë vendi në të gjitha njësitë e shitjes së grurit, miellit dhe bukës. Burime zyrtare nga MBUMK-ja bënë të ditur për median se ky hap është ndërmarrë në kuadër të evidentimit të tregut informal dhe abuzivitetit me çmimin e këtij produkti në tregjet e vendit. Sipas specialistëve, përmes këtyre kontrolleve po merren informacione të sakta dhe të detajuara nga çdo hallkë e tregut të prodhimit të bukës, me qëllim përgatitjen e një raporti përfundimtar, i cili do të shërbejë për ndërhyrjet dhe masat që do të marrin institucionet përkatëse, për mbrojtjen e këtij tregu nga konkurrenca e pandershme dhe informaliteti. Ditët e fundit, prodhuesit e produkteve të brumit dhe veçanërisht të bukës, rritën çmimin e bukës nga 80 lekë në 100 lekë për një bukë, pesha e së cilës luhatet nga 750-850 gramë, sipas njësive apo furrave që e tregtojnë. Ky fakt është vlerësuar nga specialistët e Bujqësisë, si një rritje artificiale e çmimit të bukës, pa baza objektive, ndaj dhe janë forcuar masat për parandalimin e mëtejshëm të këtij çmimi.
Heqja e TVSH-së
Qeveria, e vënë tashmë në lëvizje për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimit të bukës, duket e pafuqishme për ta risjellë atë në nivelin e 80 lekëve për bukën masive. Pas presioneve nga biznesi dhe politika Ministria e Financave duket se po shqyrton kërkesën e industrialistëve për të hequr TVSh-në për çmimin e grurit, kërkesë të cilën do t’ia nisë edhe qeverisë për shqyrtim. Lidhur me këtë çështje, vendimi përfundimtar nga ana e qeverisë pritet që të bëhet publik ditën e hënë, ku burime nga Ministria e Financave thanë për gazetën se, “pas rishikimit të situatës ka mundësi që qeveria të bëjë disa përjashtime apo lehtësira në taksa edhe për disa lënë djegëse që përdorin furrat e prodhimit të bukës, ku TVSH-ja do të hiqet njësojë si për grurin”. Sipas të gjitha përllogaritjeve të bëra tashmë nga ekspertët e financave, shteti do të humbasë vetëm 8 milion dollarë nëse përjashton grurin nga skema e TVSH-së për 5 muajt në vijim. Por një lëvizje e tillë në skemën e taksave nuk shihet me optimizëm nga FMN-ja, e cila ende nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Në të kaluarën ky organizëm ndërkombëtar ka kundërshtuar çdo nismë të qeverisë shqiptare për të përjashtuar mallra të caktuara nga skema e TVSH-së, me argumentin se këto skema favorizojnë vetëm të pasurit dhe dëmtojnë njerëzit me të ardhura të ulëta. Por, në një situatë të tillë të një krize të përgjithshme ekonomike, nuk dihet se si do të jetë reagimi nga ana e FMN-së.
Spekulimi
Ministria e Bujqësisë dhe KASH-i akuzojnë se furrtarët po spekulojnë dhe janë duke
ngarkuar konsumatorët pa të drejtë me çmime katastrofike. Në bazë të një llogaritjeje të bërë nga KASH-i ka dalë se kostoja e një buke është vetëm 56 lekë, por furrtarët fitojnë në një bukë të shitur aktualisht gati 45 lekë. "Në bazë të përllogaritjeve që kemi bërë ne, ku kemi përfshirë të gjitha elementet e kostos, na del se kostoja e një buke një-kilogramshe është aktualisht 75 lekë, ndërsa ajo e një buke 800 gramë, është vetëm 56 lekë", - tha Enver Ferizaj, kreu i KASH-it. Ai akuzoi se çmimet aktuale janë spekulative
dhe se prodhuesit e bukës po e shfrytëzojnë këtë situatë për të nxjerrë sa më shumë fitime, duke i ngarkuar pa të drejtë konsumatorët. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe MBUMK-ja, drejtuesit e së cilës thonë se ky çmim është abuziv. Por, prodhuesit e bukës kundërshtojnë gjithçka dhe deklarojnë se kostoja e prodhimit të një buke aktualisht është 75 lekë pa përfshirë taksat. Por, prodhuesit e miellit, nga ana tjetër, dalin në krah të qeverisë duke deklaruar se “çmimi aktual i bukës është i fryrë nga bukëpjekësit dhe tregtuesit e saj që spekulojnë me të”. Ata i referohen për këtë një llogarie të kryqëzuar, duke marrë në analizë çmimin e miellit dhe atë të bukës përpara se të fillonte kriza. Në kohën kur kostoja e miellit shkonte në furrë me 38 lekë për kilogram, përfshirë dhe TVSH-në, buka në vend shitej me 60 lekë. Aktualisht, sipas prodhuesve të miellit, kostoja e një kilogrami miell për furrtarët është 63 lekë, përfshirë dhe TVSH-në, ndërsa çmimi i bukës është plot 100 lekë.
11 Shkurt 2008