E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Zero imunitet për të zgjedhurit dhe emëruarit politikë, por imunitet të kufizuar për gjykatësit

Share

Ylli Manjani thotë se prokuroria mund të hetojë gjykatësit, por nuk mund ti shantazhojë ata, prandaj duhet të ekzistojë imuniteti i kufizuar për ta

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, tha se partia e tij kërkon që çështja e heqjes së imunitetit të zgjidhet brenda këtij sesioni parlamentar. Ai propozoi që imuniteti të hiqet plotësisht për të zgjedhurit dhe emëruarit politikë, por të ketë imunitet të kufizuar për gjykatësit, pasi ata mund të shantazhohen.

Ne si LSI, pasi kemi studiuar çdo qëndrim e deklaratë të derisotme që partitë, politikanët, juristët e aktorët e tjerë të rëndësishëm për jetën publike shqiptare kanë bërë, gjykojmë se zgjidhja e çështjes së imunitetit duhet bërë mbi dy parime themelore:

1. Zero imunitet për çdo të zgjedhur apo të emëruar politik. Askush që kryen detyrë përfaqësuese në politikë nuk ka pse të ketë më mbrojtje nga ndjekja penale madje edhe nga arrestimi. Kjo do të thotë se prokuroria duhet të jetë e lirë të hetojë e të arrestojë cilindo politikan për të cilin ekzistojnë të njëjtat arsye ligjore si për çdo qytetar të thjeshtë.

2. Gjykatësit e republikës duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar, aq sa për tu mbrojtjet nga shantazhi politik, por jo për tju fshehur shkeljes së ligjit. Gjykatësi është një zyrtar i rëndësishëm për shtetin dhe në kushtet e shtetit demokratik pavarësia e tij nga politika është kusht i panegociueshëm. Kjo nënkupton që prokuroria nuk mund të ketë pengesa për ti hetuar gjykatësit, por jo ti shantazhoje. Pra, gjykatësi mund të hetohet, por jo të arrestohet pa lejen paraprake të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tha Manjani.

Zyrtari i LSI shtoi se ata do paraqesin nisëm në Kuvend javën që vjen.

Teknikisht, jemi të gatshëm të votojmë abrogimin e neneve 73 dhe 103.3 të Kushtetutës, duke zeruar me efekt të menjëhershëm imunitetin e deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë.

Jemi gjithashtu të gatshëm të rishkruajmë paragrafët 1 dhe 3 të nenit 137 të Kushtetutës duke lejuar hetimin paraprak të gjykatësve sipas standardeve të ndjekjes penale. Kjo do të kërkojë edhe ndryshime në kodin e procedurës penale për të definuar me mirë nocionin e ndjekjes penale dhe të veprimeve hetimore të lejueshme për gjykatësit sipas praktikës europiane.

Me këtë qëndrim, që javën që vjen do paraqitemi në Kuvend me propozimet konkrete. Ftojmë të gjitha partitë e tjera të na bashkohen në këtë qëndrim të arsyeshëm dhe afatgjatë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›