E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja Nano: Ti ndalim hovin shëmtimit të Shqipërisë,të mos lejojmë bjerrjen e vlerave

Share

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka dërguar një njoftim të gjatë ku shprehet shqetësimi se vendi është kapluar nga një krizë ekonomike e sociale. Ndaj Lëvizja Nano sugjeron se është momenti që të punohet që qytetet të bëhen të banueshme. Nano thotë se nuk duhet lejuar bjerrja e vlerave, ndërkohë që shton se Shqipëria po shëmtohet çdo ditë, ndaj duhet ndalur ky turravrap.

Në Tiranë është ndërtuar marrëzisht, e vazhdon të ndërtohet, por megjithatë paradoksalisht nuk ka banesa për të gjithë banorët, bazuar në mundësitë e tyre për ti blerë apo marë me qera ato. Sidomos nuk ka banesa për banorët që pritet të vijnë apo shtohen në Tiranën e viteve dhe dekadave të mëtutjeshme. Rrugët dhe transporti brenda e ndër qytetet tona, janë në gjendje të mjerë si cilësi apo standarde, ndonëse një pjesë e tyre janë rishtazi të ndërtuara, trafiku lemeritës, tokat e lira po zihen e zhduken me shpejtësi ashtu si edhe parqet e gjelbërimi. Monumentet, vlerat kulturore dhe historike janë ose mungestare ose keqazi të lëna pasdore, qendrat e qyteteve po zhezhiten nga betoni e rrokaqiejt, ndërsa periferitë po zhvishen nga dlirësia e natyrës e po pushtohen nga babëzia e shpirtit të përfitimit që ngre kioska, pallate, e gjithçka mundet, kudo e sido, shëmturisht, mendzbrazëtisht e shpirtboshësisht. Ky realitet kaq i zymtë po gërryen fort dhe me ngulm, vlerat e shtrenjta që kemi pasur e nderuar ndër shekuj, të komunitetit, fqinjësisë së mirë, mikpritjes, kuvendimit,  bashkëveprimit, bashkëndërtimit, me njëri-tjetrin plot dinjitet, kujdes e respekt, si edhe  ndërlidhjen me natyrën. Bjerrja e këtyre vlerave ushqen individualizmin esktrem dhe meskin, vetminë, shpërfilljen, limontinë dhe indiferencën. Kësisoj lipset të kuptojmë se shoqëria jonë nuk do të jetë kurrë e madhe, nëse qytetet tona nuk do të jenë të mëdhenj. Edhe sot me këtë realitet që kemi, jemi të bindur se kufiri i imagjinatës, talentit, energjisë transformuese dhe inovacionit është brenda qyteteve tona dhe jo përtej kufijve të tyre apo përtej kufijve të vendit tonë. Duhet ta ndjejmë si detyrë të brezit tonë që ti bëjmë qytetet shqiptare vende ku ndoshta edhe vetë ne nëse do të jemi me fat, por patjetër brezat e ardhshëm që do të vijnë, nuk do të vijnë thjesht për të jetuar, por për të jetuar një jetë të mirë, thuhet në njoftim.

Asnjëherë nuk kemi reshtur së besuari se Shqipëria jonë është e bukur dhe mahnitëse. Por sot kjo bukuri është në rrezik serioz. Uji që ne pimë, frutat, perimet, ushqimet që ne hamë, vetë ajri që ne thithim, janë të kërcënuara nga ndotja, moskujdesi dhe tregtia e pandershme. Pyjet po zhuriten e shfarosen nga prerjet pa kriter, lumenjtë po gërryhen e varfërohen nga shfrytëzimi barbar për inerte, kodrat e malet po gurorëzohen, livadhet, fushat, tokat pjellore po pushtohen çdo ditë nga shtëpiza e ndërtime pa kuptim e pa arsyetim, ndërkohë që plazhet po mbillen me karabina e përbindësha tullash e llaçi dalamendshe. Derimësot kemi qenë thellësisht të shqetësuar për imazhin problematik të shqiptarit të shëmtuar kudo nëpër botë, ndaj është ora që ne ta ndalim sa më parë të jetë e mundur turravrapin tatëpjetë kah Shqipëria e shëmtuar. Nëse këtë betejë do ta humbasim, nëse bukuritë e të mirat tona natyrore do të rrënohen, atëherë do të jetë shumë e vështirë që ti rikthejmë. Ditën kur qytetarët shqiptarë nuk të bashkëudhëtojnë me bukuritë dhe të mirat që u ka falur natyra, ditën kur ata nuk do të kujdesen për këto bukuri e këto të mira, ditën kur nuk do të punojnë me dashuri, mençuri e përkushtim për ti shumëfishuar këto bukuri e këto të mira, atë ditë qytetarët shqiptarë do të kenë humbur jo vetëm mundësitë e tyre për tu mbajtur dhe zhvilluar ekonomikisht por edhe do të kenë tharë shpirtin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›