Shkëlzen Berisha padit gazetën Zëri, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim
Djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha nëpërmjet avokatëve të tij, ka depozituar në Gjykatën Komunale në Prishtinë një padi kundër gazetës Zëri, ndaj së cilës pretendon 100 mijë euro dëmshpërblim për shpifje dhe shkaktim dëmi moral, raporton TCH.
Në njoftim për media të avokatëve të Shkëlzen Berishës thuhet se padia është ngritur kundër gazetës Zëri, kryeredaktorit të saj Astrit Gashi dhe gazetarit Enis Veliu dhe përvecc kompensimit financiar për dëmin moral, kërkohet edhe heqja e artikullit nga faqja në internet e gazetës Zëri.
Më datë 16 prill të këtij viti, gazeta Zëri në Kosovë publikoi një artikull me titull Sali Berisha me mafinë serbe kundër Kosovës dhe në brendi flitej për një takim të djalit të kryeministri shqiptar me biznesmenin serb, Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliç, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha.
Gazeta shkruan se biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha parash tek instancat e larta shtetërore në Shqipëri për të penguar ndërtimin e linjës së intekonjeksionit mes dy vendeve duke bërë që Serbia të sigurojë monopolin e furnizimit me energji për Kosovën, pasi kjo e fundit të vetmen rrugë importi, ka aktualisht vetëm fqinjin verior.
Gjatë muajit qershor Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, kishte hedhur poshtë ankesën e Shkëlzen Berishës, i cili kishte kërkuara të përgënjeshtrohet pjesa e artikullit ku thuhet se ai është takuar me këta biznesmenë dhe të kërkojë ndjesë ndaj tij.
Nga ana e saj gazeta Zëri thotë se zotëron provat dhe faktet e nevojshme që vërtetojnë të gjitha ato që janë shkruar në artikullin e datës 16 prill.