E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI dhe PDIU pershendesin marrjen e statusit te kandidatit

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU kanë përshëndetur marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë, ndërkohë që kanë apeluar për përmbushjen mëtejshme të reformave të kërkuara nga KE.

Në një deklaratë për mediat kreu i LSI-së Ilir Meta e konsideroi marrjen e statusit të vendit kandidat një hap historik dhe bëri thirrje për përmbushjen e reformave të mbetura.

“Është një arritje e vonuar, por është një hap historik dhe apelojmë për të mos u vonuar më tej, në mënyrë që të lehtësojmë vendimmarrjen e vendeve të BE gjatë dhjetorit për Shqipërinë”- tha Meta.

PDIU përshëndet marrjen e statusit të kandidatit dhe shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen që vjen nga Brukseli për të përmbushur aspiratën e popullit shqiptar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. PDIU uron mbarë popullin shqiptar, i cili nuk e ka reshtur mbështetjen e vetë për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar.
“Suksesi dhe lëvdatat i takojnë popullit shqiptar ndërsa elitës politike i takon të mbartë përgjegjësinë për zvarritjen dhe vonesën e pajustifikueshme në procesin e integrimit. Kjo arritje është një dëshmi e re se nëse palët politike lënë mënjanë interesat meskinë dhe frymën e konfliktualitetit, por angazhohen së bashku për të bërë reformat që më së shumti i nevojiten Shqipërisë, udhëtimi drejt Bashkimit Evropian ka për t’u bërë më i shpejtë dhe më i lehtë”- thuhet në deklaratën e PDIU-së, e cila rikonfirmon faktin që integrimi evropian i vendit tonë është një ndër përparësitë e kësaj partie, gjë që e ka demonstruar që prej krijimit të saj jo vetëm në retorikën politike sikurse kanë bërë partitë e tjera, por duke luajtur gjithnjë një rol konstruktiv, pajtues dhe bashkëpunues në veprimtarinë e saj politike.

“Ne gjykojmë se vendimi i sapomarrë nga Komisioni Evropian, më shumë se një privilegj, është një përgjegjësi e madhe e të gjithë aktorëve politik të Shqipërisë për të mbështetur ato veprime politike dhe reforma madhore që kanë për qëllim përmbushjen e kritereve të përcaktuar për anëtarësimin e vendit tonë në BE”- përfundon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›