E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI dhe PDU marrëveshje për bashkëpunim

15/04/2010 Bashkëpunimi politik

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi dhe Unitet kanë zyrtarizuar dje bashkëpunimin parlamentar. Shtrëngimi i duarve mes kryetarit të LSI-së, Ilir Meta dhe atij të PDU-së, Shpëtim Idrizi, u bë në selinë e Lëvizjes. Bashkëpunimi me këtyre dy forcave politike, sipas krerëve politikë synon përafrimin e partive, me qëllim integrimin evropian dhe zgjidhjen e çështjeve kombëtare të pazgjidhura, ku më kryesorja është çështja çame dhe bashkëpunimi reciprok mbi problemet që kalon vendi. Ilir Meta, kryetari i LSI-së, aleate me Partinë Demokratike në bashkëqeverisjen e vendit, ka theksuar se përmes marrëveshjes jo vetëm që vendosen bazat e një bashkëpunimi real dhe konkret në Parlament dhe jashtë tij, por njëkohësisht shërben për të dhënë mesazhe të rëndësishme për të gjithë opinionin publik dhe për të gjitha forcat politike në vend. Meta ka theksuar se bashkëpunimi nuk ka për qëllim forcimin politik të një grupimi të caktuar në Parlament, por përkrahja për reformat e rëndësishme në funksion të integrimit të vendit. Ai ka siguruar se LSI-ja do të përkrahë PDU-në në aksionet e saj politike. Nga ana e tij, lideri i partisë që mbron interesat e komunitetit çam në Shqipëri, Shpëtim Idrizi, nuk ka pohuar drejtpërdrejt se marrëveshja me LSI-në e çon partinë e tij drejt anëtarësimit zyrtare në koalicionin qeverisës, të drejtuar nga PD-ja dhe Kryeministri Sali Berisha. Megjithatë, ai nuk ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë kontakti të mëvonshëm edhe me kreun e Qeverisë. Idrizi nënvizoi se PDU-ja është një parti, e cila po voton mazhorancën në çdo rast në Parlament, sidomos për ato ligje që mendojmë se shpejtojnë proceset integruese. Lëvizja e djeshme politike shihet si një forcim më i madh i mazhorancës. Aktualisht shumica qeverisëse përbëhet nga 74 deputetë. Ndërkohë, me afrimin e PDU-së, numri i ligjvënësve që përbëjnë shumicën në Parlament, shkon në 76. Ky numër do ta mbrojë akoma më shumë mazhorancën përballë presioneve që bën opozita.

Grupi parlamentar

Duket se LSI-ja dhe PDU-ja do të formojnë një grup të vetëm parlamentar, duke unifikuar qëndrimet e tyre politike. Mësohet e pavarësisht se dy forcat politike do të jenë nën të njëjtën çadër politike në Parlament, për projektligje apo vendime të tjera të rëndësishme do të kenë lirinë e tyre të mendimit dhe të veprimit, gjithnjë në funksion të interesave përkatëse. Gjithsesi, komunikimi do të mbetet i përhershëm mes dy partive politike.

Programet

LSI-ja dhe PDU-ja shprehen se janë dy forca politike, të cilat kanë si synim kryesor të tyre integrimin e Shqipërisë, sikurse çdo forcë politike e përgjegjshme në vend. Integrimi i vendit, stabilizimi i institucioneve dhe zgjidhja e çështjes çame do të jenë baza e bashkëpunimit parlamentar dhe jashtëparlamentar ndërmjet LSI-së dhe PDU-së. Këto janë disa nga pikat kryesore që përbëjnë shtyllat e programeve të dy forcave politike.

PDU

Takimi i djeshëm ishte i pari që partia, e cila mbron interesat e komunitetit çam, ndërmerr në funksion të bashkëpunimit me forca të tjera politike. PDU-ja thekson se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë që mbështesin integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, si edhe zgjidhjen e çështjes çame, pasi nuk ka dallime në bashkëpunimet me të gjitha partitë që do të mbështesin këto dy pika kyçe programore të PDU-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›