“LSI duhet të ketë një anëtar në grupet e numërimit të votave”
Preç Zogaj propozon ndryshime të tjera në Kodin e ri Zgjedhor
TIRANE - Deputeti demokrat Preç Zogaj rikthen në vëmendje të politikës, ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor. Një ndërhyrje e motivuar nga rikthimi në Kuvend i Ligjit Zgjedhor me dekret presidencial. Një shans që për deputetin Zogaj, nuk duhet humbur si mundësi për të zgjeruar rrethin e konsensusit prej 113 votash në Kuvend.
Në këtë pikë edhe kundërshtarët e Kodit, e kanë parë këtë si mundësi për reflektim të dy forcave të mëdha. Por propozimi i deputetit demokrat, orientohet direkt në grupet e numrit të votave, duke i krijuar mundësinë LSI-së të ketë një anëtar të sigurt.
Në Kodin e ri, thuhet se grupet e numërimit të votave përbëhen nga 4 anëtarë, dy prej të cilëve i takojnë partive të mëdha, ndërsa dy anëtarët e tjerë zgjidhen me short, nga partitë e tjera parlamentare në të djathtë dhe të majtë.
“Do të ishte mirë që ti krijohej një hapësirë LSI-së. Këtu bëhet fjalë për rregulla loje, bëhet fjalë për të garantuar dhe për të paqtuar të gjitha palët që marrin pjesë në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një parti që renditet e treta deri tani. Askush nuk mund të thotë të kundërtën, por kjo kërkon vullnet. Për sa u takon komisioneve mendoj se duhet të jenë efiçiente dhe e gjithë kupola është e ndërtuar me një lloj delikatese dhe mund të prishin shumë ekuilibrat e tjerë. Nuk është e udhës që të ketë reaksione në një parti”, u shpreh Zogaj.
Zogaj thekson se grupet e numërimit janë e vetmja mundësi për ndryshim në kod ndërsa duhet të mbetet e njëjtë përbërja e sanksionuar për komisionet e administrimit të zgjedhjeve, në të gjitha nivelet.
Deputeti Zogaj kërkon të theksojë faktin se propozimi i tij, që nuk duket të ketë pak mbështetës në grupin kuvendor demokrat, nuk synon politikë diversioni, një pretendim ky, i ngritur nga Partia Socialiste. Produkti do të ishte një konsensus më i madh për Kodin dhe reduktim i shanseve për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve 2009.