E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lëvizjet e dhjetorit, ndau vendin nga diktatura, i hapi rrugë demokracisë dhe lirive të mëdha”

Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi, përshëndet të rinjtë shqiptarë në ditën e Lirisë

TIRANE - Partia Demokristiane përshëndeti dje 8 dhjetorin, ditën e Rinisë, duke vlerësuar lëvizjen studentore që i dha fund diktaturës së egër komuniste për të parë drejt demokracisë dhe lirive të mëdha.
Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi, deklaroi se pas viteve të mundimshme që kaloi Shqipëria e nënshtruar nën thundrën e hekurt komuniste, do të duhej të ngriheshin në këmbë të rinjtë, studentët dhe intelektualët e vendit që i thanë “stop” sistemit të kalbur komunist.
“PDK, gjen rastin të përshëndesë të gjithë të rinjtë shqiptarë në ditën e tyre, sikurse edhe 8 dhjetorin kur lëvizja studentore i dha fund diktaturës së egër komuniste për të parë drejt demokracisë dhe lirive të mëdha njerëzore”, u shpreh Gurakuqi.
Ai theksoi në vijim se është momenti kur të rinjtë në Shqipëri të shpalosin energjitë e tyre, për të qenë më aktiv për të ardhmen progresive të shoqërisë shqiptare.
“Ne sot në të njëjtën ditë përkujtojmë dhe festojmë sakrificat e mëdha për paqen, harmoninë dhe lumturinë njerëzore, sikurse edhe ndarjen nga e kaluara e egër komuniste drejt lirisë së mendimit, besimit tek Zoti dhe të ardhmes demokratike”, shtoi Gurakuqi.
Gjithashtu, Partia Demokristiane shprehu dje urime edhe për të gjithë komunitetin mysliman në Shqipëri, me rastin e ditës së Kurban Bajramit, dhe vlerësoi bashkëjetesën dhe harmoninë fetare që ekziston në vend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›