E Enjte, 5 Nëntor 2026

LSI fton anëtarësinë të votojë Monika Kryemadhin, në detyrën e kryetares së kësaj partie

LSI ka ftuar anëtarët e saj të votojnë Monika Kryemadhin, në detyrën e kryetares së kësaj partie, partia e tretë më e madhe në Shqipëri. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama tha të premten se “procesi i zgjedhjeve që do të zhvillohet nesër është një moment i rëndësishëm dhe nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së”. Sipas tij, me këtë votim jepet “mesazhi i mbështetjes, unitetit, solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit”.

Të shtunë në të gjithë Shqipërinë, por edhe gjithkund në diasporë, në Greqi, Itali, Gjermani, të tjera vende të Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarët e LSI-së janë ftuar të marrin pjesë në zgjedhjet për forumet drejtuese. “Ata  do të mandatojnë në një proces shumë të rëndësishëm të zgjedhjeve brenda radhëve të tyre, strukturat që do të drejtojnë LSI-në” tha Luan Rama.

Ai theksoi se “procesi i votimit ka rëndësinë e vet, prandaj gjatë gjithë ditës ne do të jemi online në sytë e qytetarëve”.

“Ju ftoj të gjithë anëtarët e LSI-së të votojnë nëpërmjet aplikacionit që do të mbërrijë në telefonin e tyre, çka është një aplikacion i vlefshëm vetëm për ata që kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. Ndërkaq anëtarët e tjerë që nuk kanë mundur ta marrin dot kartën e re, edhe për shkak të problemeve që shkaktoi periudha e bllokimit prej pandemisë, nesër duke u paraqitur në qendrën e votimit me kartën e vjetër të anëtarësisë mund të votojnë, por njëherësh të plotësojnë edhe formularin për t’u pajisur me kartën e re” tha Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›