E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Meta, takon shefin e diplomacisë italiane, Di Maio: Italia partner kryesorë

Presidenti Ilir Meta, gjatë një takimi me shefin e diplomacisë italiane, Di Maio, ka vlerësuar rolin e Italisë në proceset integruese të Shqipërisë, ndërsa theksoi se Shqipëria duhet të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Ne vlerësojmë rolin proaktiv të Italisë në mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar integrimin e vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në Bashkimin Evropian”, – nënvizoi Presidenti Meta, duke shtuar se “Shqipëria ka përpara saj përmbushje të domosdoshme të kushteve të funksionimit të shtetit demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, liria e medias, etj.”

Gjatë takimit, presidenti vlerësoi edhe ndihmën e dhënë nga Italia gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, si dhe për pandeminë e COVID-19.

 “Mirënjohje e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kontributin për përballimin e pasojave veçanërisht për rindërtimin e zonave të prekura dhe rehabilitimin e tyre. Falenderim edhe për dërgimin në Shqipëri të specialistëve italianë në përballimin e situatës së COVID-19”, është shprehur zoti Meta.

Sipas kreut të shtetit, Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Ai kërkoi një prani më të madhe të investitorëve seriozë italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.

“Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, “janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Ndaj inkurajoj rritjen bashkërisht të përpjekjeve për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj”, tha zoti Meta. /rtsh.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›